S’ka më patriotizëm, qytetarët duan bukë
Albeu.com
Platformat ekonomike në plan të parë gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni. BDI në platformën e saj ekonomike vlerëson se pas përfundimit të procesit të privatizimit, do të krijojë kushte për tërheqjen e investimeve, ndërsa PDSH do të ofrojë zbritje të tatimeve të mallrave të konsumit të gjerë.Partitë politike, në prag të zgjedhjeve parlamentare, janë duke bërë përgatitjet finale para “testit” të fundit. Sondazhet e ndryshme, tregojnë se tema që u intereson më së shumti shumicës së qytetarëve është mirëqenia ekonomike. Në këtë frymë partitë politike shqiptare, kanë orientuar platformat dhe programet e tyre të cilat thonë se do t’ia ofrojnë elektoratit prej 15 qershor deri më 5 korrik.
Platforma ekonomike e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në plan të parë ka përfundimin e procesit të privatizimit. Pas këtij procesi ekspertët e kësaj partie kanë paraparë projekte tjera, të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve më të mira për tërheqjen e investitorëve.
“Pas përfundimit të plotë të procesit të privatizimit do të bëjmë çmos që të krijojmë kushte për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe stimulimin e atyre vendor. Kjo do të japë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës”, thotë për “Lajm” deputeti i BDI-së Adnan Jashari. Ai vlerëson se investitorët do të tërhiqen me uljen e tatimeve, lehtësimeve të karakterit doganor dhe funksionimin e shtetit juridik.
Në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) përveç anëtarëve të sektorit ekonomik gjatë hartimit të platformës ekonomike kanë angazhuar edhe profesorë nga universitetet vendore dhe ekspertë të huaj.
“Duke ulur tatimet e konsumit të gjerë do të ndikohet për rritjen e mirëqenies në shtresën më të varfër. Për ndërmarrjet e mesme kemi menduar që të rrëzojmë në zero tatimet e repromaterialeve që sillen nga jashtë”, thotë për “Lajm” kryetari i Shtabit zgjedhor të PDSH-së, Rruzhdi Matoshi. Kjo parti premton se do të ulë tatimin e fitimit dhe tatimin personal, ndërsa zbrazëtirat që mund të krijohen në buxhet për shkak të këtyre reformave, në PDSH thonë se do t’i mbulojnë me rritjen e akcizave të mallrave luksozë.
Në Partinë për Prosperitet Demokratik (PPD) thonë se pas marrëveshjes së arritur për koalicionim me BDI-në, do të përpiqen të bëjnë fuzion të platformave ekonomike të dy partive. “Do të paraqitemi me një platformë shumë shpresëdhënëse për të ngritur standardin dhe zhvillim ekonomik”, thotë nënkryetari i PPD-së Ismet Ramadani.
Qashif Bakiu, Lajm
Shtuar më 28/05/2006, ora 16:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori