Ska më:" Alo! Kemi një ofertë për ty"
Të gjithëve na ka ndodhur të na telefonojnë për të na njoftuar se jemi fitues të një shorteu, apo përfitojmë ulje në pajisje elektronike dhe jo vetëm.

Por së fundmi kuvendi i ka kërkuar AKEP në rezolutën për aktivitetin e këtij institucioni në vitin 2018 dhe fokusi që duhet të ketë gjatë këtij viti që të ndalet edhe tek zgjidhja e kësaj problematike.

“Të punojë për ngritjen e një regjistri “Do Not Call Me”, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, për të rregulluar aktivitetet e telemarketuesve që bëjnë thirrje telefonike të padëshiruara për individë privatë. Skema e regjistrimit do të mundësojë përdoruesit që të bëjnë “opt-out”, pra të mos marrin thirrje të pakërkuara nga kompanitë telemarketing” thuhet në kërkesën e parashtruar nga Kuvendi për AKEP.

Po kështu për këtë institucion janë bërë edhe një seri kërkesash të tjera ku AKEP duhet të marrë masa për të garantuar sigurinë dhe integritetin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me rregullat e BE-së për sigurinë kibernetike, si dhe të rrisë më tej bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (ALCIRT), në lidhje me identifikimin e kërcënimeve të mundshme kibernetike dhe njoftimin e operatorëve në kohën e duhur për të marrë masa të menjëhershme.
Kuvendi ka sjellë edhe një herë në vëmendje çështjen e kabllove ajrore duke nënvizuar se edhe kjo pjesë duhet të shihet me kujdes në vitin 2019.

“Të intensifikojë aktivitetin e tij përmes grupit të punës, i ngritur në vitin 2018, në lidhje me kushtet teknike të zbatuara nga operatorët, si dhe të zbatojë masa administrative, sipas ligjit, në rastet e shkeljeve, duke konsideruar problemin e kabllove ajrore apo atyre të vendosura në shtyllëzimet elektrike, si dhe përdorimi i përbashkët i infrastrukturës, si një problem i cili vijon të mbetet shqetësuese” thuhet në rezolutë. /monitor/
Shtuar më 06/06/2019, ora 11:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori