Sjelljet e Serbise ndaj Kosoves zemerojne BE-ne
Albeu.com
Kundërshtimi i hapur i strategjisë për veriun, tentativat për forcimin e strukturave paralele dhe manipulimet diplomatike që bën nëpër disa shtete të botës, duke e paraqitur rastin e Kosovës si rrezik për separatizëm në ...... botë, janë vetëm disa hapa të Beogradit që kanë filluar të irritojnë disa shtete të Bashkimit Evropian, shkruan sot “Koha Ditore”. Fjala është për ato vende që e kanë njohur Kosovën dhe janë sponsorët kryesorë të pavarësisë së saj. Por për shkak të mospajtimeve brenda Bashkimit Evropian me vërejtjet ndaj Beogradit tash për tash këto shtete nuk mund të dalin publikisht.
"Ne këto pakënaqësi natyrisht se ua kemi përcjellë bashkëbiseduesve tanë nga Beogradi. Ata, sidomos para vendimit për heqjen e vizave, premtonin se do të jenë konstruktivë, por këtë konstruktivitet nuk e kemi parë ende", ka thënë një diplomat nga një vend i BE-së.

Takimi i fundit i Grupit Udhëheqës Ndërkombëtar për Kosovën ka dëshmuar se shtetet kryesore të BE-së mbështesin fuqishëm strategjinë për veriun, ndonëse disa prej tyre dyshojnë se mund të realizohet sipas afateve që përmenden aty. Serbisë i është thënë që të ketë kujdes me deklaratat ndaj këtij grupi, pasi që aty janë edhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, sikur edhe të jetë më e kujdesshme kur kritikon Peter Feithin, i cili po ashtu është edhe i dërguar i posaçëm i BE-së.
"Nëse brenda BE-së nuk mund të pajtohemi për shkak të ndasive tona që Beogradit t’i dërgojmë një porosi të ashpër në emër të Bashkimit Evropian, kjo nuk guxon të shihet si pajtim i BE-së me sjelljen e Beogradit", kanë thënë burime të “Kohës Ditore” nga disa shtete të Bashkimit Evropian.

Të njëjtat burime pohojnë se shtetet kryesore të BE-së kanë qenë "shumë të kujdesshme ndaj Serbisë, duke pasur mirëkuptim për disa sjellje të saj dhe duke mos dashur ta vënë në pozitë të keqe qeverinë e këtij vendi për shkak të Kosovës. Për këtë arsye edhe shpesh është thënë se nuk kërkohet nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkohet që të jetë konstruktive ndaj përpjekjeve për të stabilizuar Kosovën dhe për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit".
"Kemi kërkuar që të mos paraqesin pengesa për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale. Por asnjë nga këto pritje nuk janë realizuar dhe Serbia ka vazhduar të pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në shumë nisma të tilla", kanë pohuar këto burime.

Serbia ka aplikuar në fund të vitit të shkuar për anëtarësim në BE, por kjo kërkesë është vënë në "pushim" për një kohë të caktuar edhe pse kryesimin e radhës së BE-së e ka Spanja, tek e cila Serbia ka pasur shumë shpresa për shkak se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kusht që të bëhet çfarëdo hapi i ardhshëm i Serbisë në rrugën evropiane është bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës. Kosova dhe njohja e realitetit se ajo është shtet i pavarur tash për tash nuk përmenden si kritere. Por nga Serbia kërkohet sidomos që të bashkëpunojë me EULEX-in dhe ky bashkëpunim nuk konsiderohet si i kënaqshëm ende. Po ashtu, në afat më të gjatë, zyrtarë të disa shteteve të BE-së pohojnë se Serbia duhet ta kuptojë se nuk mund të hyjë në BE pa, siç thuhet, "rregulluar raportet me Kosovën".

Diplomatë të tjerë të lartë të BE-së pohojnë se "Serbia është aq larg në procesin e integrimeve në BE, saqë nuk ka kuptim t’i përmendet njohja e Kosovës si kusht tani", por shtojnë se "asnjë shtet nuk mund të hyjë në BE pa zgjidhur të gjitha konfliktet me fqinjët", që, sipas tyre, duhet të shihet si porosi edhe për Beogradin.

Sa i përket vetë Kosovës, disa diplomatë të vendeve kryesore të BE-së pohojnë se autoritetet e Kosovës nuk po bëjnë sa duhet për të ndihmuar përpjekjet e "miqve ndërkombëtarë" që ta ndihmojnë më shumë Kosovën.
Shtuar më 11/02/2010, ora 05:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori