Situata ne Mitrovice vijon te jete e tensionuar
Pëlqej
Albeu.com
Gjendja e sigurisë në Mitrovicë vazhdon të jenë e tensionuar për shkak të ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në veri- me këtë përfundim kanë arritur përfaqësuesit e strukturave politike dhe ata të sigurisë në takimin e Komitetit për Siguri në Mitrovicë.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se përkundër përpjekjeve dhe takimeve të shumta mes përfaqësuesve të shqiptarëve, atyre të UNMIK-ut dhe serbëve, këta të fundit vazhdojnë të jenë të paepur në qëndrimet e tyre, duke krijuar pengesa për të mos lejuar kthimin e shqiptarëve në pjesën e Suhadollit që është ngjitur me Kroin e Vitakut.

“Ne kemi deklaruar se nuk do të provokojmë, mirëpo nuk mund të jemi gjithnjë në rolin e zjarrfikësit dhe në emër të ruajtjes së qetësisë të kthehen mbrapsht projektet që synojnë përmirësimin e kushteve më të mira për jetë të të gjitha komuniteteve”- tha Rexhepi.

Rexhepi përmendi edhe pengesat që janë bërë të martën dhe që janë duke u përsëritur edhe të mërkurën nga policia polake e UNIMK-ut që ka ndalur punët në realizimin e projektit për një pjesë të rrugës që shkon prej Suhadollit në drejtim të Kroit të Vitakut.

“Kjo rrugë është projekt i Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit që ka të drejtë të punojë në çdo cep të territorit të Kosovës, prandaj reagimi dhe ndalimi i punëve është i paarsyeshëm dhe mund të tensiojë situatën edhe më”, tha Rexhepi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e policisë së UNMIK-ut që ishin të pranishëm në takim thanë se çdo ndërprerje e projekteve që po bëhet në veri ka për qëllim ruajtjen e qetësisë. Ndërsa komandanti i stacionit të policisë në jug, kapiteni Bashkim Spahiu, tha se në jug gjendja është e qetë, mirëpo shqetësimet janë prezente.
Shtuar më 19/11/2008, ora 18:49
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori