"Situata është rëndë", gazetari tregon dy rrugët për "ngërçin" politik
Gazetari Blendi Fevziu i ftuar në “Tempora” nga Sonila Meço në Ora News, tha se situata është shumë e rëndë pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve.

Pjesë nga debati:

Fevziu: Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Është një vendim i paparashikueshëm, është një situatë shumë e rëndë. Diçka e tillë nuk ka ndodhur në 30 vite. Ka pasur situata të tjera edhe më të vështira, por kjo situatë është e paprecedentë dhe askush nuk e parashikon dot se si mund të jetë zgjidhja.

Meço: Mund të ketë zgjedhje?

Fevziu: S’mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Opozita nuk hyn në zgjedhje. Zgjedhje me një palë nuk kanë sens. Mendoj se do të zgjasë. Nuk është një situatë që zgjidhet shpejt. Ndërkombëtarët do të përpiqen ta thyejnë Bashën. Ka vetëm dy rrugë, o do ketë përplasje o do ketë marrëveshje.

Fevziu tha se pritet të shihet edhe roli i Presidentit Ilir Meta pas situatës së krijuar nga djegia e mandateve të opozitës.

Fevziu: Mazhoranca do të tentojë të zëvendësojë deputetët duke hyrë në një histori aferash, edhe joshjesh, edhe pazaresh që për mua është e shëmtuar. E dyta, opozita duhet të ndërmarrë hapa të tjerë. Do të ndërtosh një aksion opozitar, do të duhet ta zbatosh në rrugë. Kjo mund të çojë në përplasje civile që mund të kenë kosto për vendin dhe pa dyshim për mazhorancën. Në gjykimin tim, këto janë lëvizje që i djegin të gjitha palët. Edhe përplasja para Kryeministrisë, është një lëvizje për t’u treguar ndërkombëtarëve që Shqipëria nuk është e qetë. Ndërkombëtarët gjejnë një pikë që është më e fortë dhe thonë se është njeriu që ofron stabilitet. Opozita po merr një goditje vet për t’u treguar ndërkombëtarëve që Edi Rama nuk është faktor stabilitetit. Do shohim çfarë roli do të luaj Presidenti. Në krizën e vitit 2006, ishte Presidenti, Alfred Moisiu që thirri palët për të shtyrë zgjedhjet nga dhjetori në shkurt. Në vitin 2010, ishte Bamir Topi që thirri palët për të zgjidhur ngërçin ku opozita kishte bojkotuar Parlamentin. A do të tentojë Meta t’i thërrasë palët në një tryezë presidenciale dhe a do të pranojnë palët? Më herët ka funksionuar. Berisha ka pranuar të shkojë. Presidenti ka detyrimin t’i thërrasë palët.
Shtuar më 20/02/2019, ora 08:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori