Protesta e 8 janarit, reagon Alibeaj: Klithmat e fundit, është koha që Berisha të shkojë në shtëpi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka komentuar protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha përpara selisë blu, në datën 8 janar.

Alibeaj shprehet se nuk ka asnjë protestë të vërtetë të shtunën, pasi sipas tij Berisha do të tërheqë pas vetes në hallin e vetë edhe demokratët e thjeshtë.

Numri dy i PD shkruan po ashtu se Berisha nuk ka moral dhe sipas tij kjo është një ndërmarrje antidemokratike.

Komentet ai i bëri përmes një postimi në Facebook, ku shton se është koha që Berisha të shkojë në shtëpi.

Reagimi i plotë:

Nuk ka asnjë protestë të vërtetë të shtunën. Janë klithma të zbehta të një agonie politike, në të cilën duan të tërheqin edhe demokratët. Sali Berisha nuk ka moralitet në këtë ndërmarrje antidemokratike.

Prej gati 4 muajsh është bërë çdo gjë që të zhvendoset objektivi i PD nga përballja me regjimin e Edi Ramës në një luftë të brendshme kundër Lulzim Bashës, për dobësimin e PD dhe të demokratëve.

Pseudoprotesta do të dështojë, si çdo përpjeje tjetër e deritanishme për të marrë peng PD-në për interesin e një njeriu të vetëm!

Është koha që Berisha të shkojë në shtëpi! Të lërë demokratët të fokusohen në të vetmen betejë të vërtetë, atë me regjimin e korruptuar të Edi Ramës për t’i dhënë vendit sa më parë një qeverisje të mirë dhe të drejtë!/albeu.com/


Shtuar 4.01.2022 20:56