Shkopi i bejsbollit si mekanizëm i barazisë para ligjit

Nga Lutfi Dervishi 

Shkopi i bejsbollit si mekanizem i barazisë para ligjit

Me precedentin që po krijon prokuroria e Tiranës ku rrahja barbare me shkopa bejsbolli, shkop gome dhe pistoletë quhet plagosje e lehtë, çdo njeri i drejtësisë, i politikës dhe i administratës shtetërore nga zyetari më i thjeshtë tek ai më i larti duhet të ndihen të rrezikuar.

Tanimë mund të mblidhen 9 persona, por edhe më shumë dhe mund të godasin, çdo prokuror, avokat, gjyqtar, ministër, deputet, zyrtar, mund t’i thyejnë kockën e kafkës, mund t’i thyejnë krahun, mund ta zhdëpin në dru dhe të quhet “plagosje e lehtë”. Dhe nëse nuk ka ankim nga i rrahuri, çështja pushohet.

Në një vend të polarizuar politikisht, në një vend ku korrupsioni dhe abuzimi me fondet publike ka arritur maja të pa sfidueshme nuk është çudi që zemërimi i njerëzve të mos derdhet më as në tryezat e debateve televizive, as në sheshe, madje as duke u larguar në aeroportin e Rinasit. Me shumë gjasë kur kupa mbushet mjafton një shkop besjbolli për të mos e lënë që të shkojë dëm.

Kultura e Pandëshkueshmërisë e skalitur në dekada mund të marrë një mësim shumë të mire nga shkopat e bejsbollit.

Kështu që prokurorët që sot spërdridhen duke shpjeguar teknikalitete dhe duke mbajtur procesverbale magazinash duhet të kenë kujdes se mirë që nuk kujdesen për fytyrën e tyre, por duhet të kujdesen për kokën e zyrtarëve të lartë. Nuk thuhet kot para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe barazia para ligjit nën kupton që të gjithë janë të barabartë edhe para shkopit të bejsbollit.

Kujdes zotërinj prokuror se peshoren e drejtësise po e zëvëndësoni me shkopinj të e bejsbollit!


Shtuar 11.09.2023 21:28