E FUNDIT/ Makina përplas 10 vjeçarin në Vlorë
Siria, MPJ përshëndet marrëveshjen SHBA-Rusi
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet marrëveshjen e datës 14 shtator 2013 të arritur në Gjenevë ndërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, për eliminimin e programit të armëve kimike të regjimit sirian të Bashar Al Assadit.


Përmes një deklarate për mediat MPJ thekson se zbatimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugën eliminimit të shpejtë dhe të sigurt të programit sirian të armëve kimike, si dhe krijon mundësinë për vazhdimin e përpjekjeve të mëtejshme të komunitetit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse të konfliktit në Siri.
Në vijim MPJ deklaron se Republika e Shqipërisë mbështet të gjitha nismat e komunitetit ndërkombëtar të cilat synojnë t’i jepet fund gjakderdhjes në Siri dhe krijimit të kushteve për transferimin e pushtetit drejt forcave të reja konstruktive, për ndërtimin e një sistemi demokratik të bazuar në vlerat e lirisë, barazisë, dinjitetit human dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Nën një marrëveshje të negociuar nga Rusia dhe SHBA me 14 shtator , qeveria e presidentit al-Assad duhet të publikojë brenda javës së ardhshme të dhëna të plota për arsenalin e armëve kimike në zotërim, armë të cilat do të dorëzohen tek komuniteti ndërkombëtar dhe do të shkatërrohen deri në mesin e 2014-s.
Megjithatë, Uashingtoni vazhdon të kërcënojë me një sulm ushtarak Damaskun, nëse termat e marrëveshjes nuk do të zbatohen.
Presidenti al-Assad mohon që trupat e ushtrisë së rregullt të jenë pas sulmit të 21 gushtit, në të cilin me qindra u vranë në një bombardim me armë kimike.
Aktualisht, hetues të OKB-së janë në Siri për të grumbulluar faktet në terren dhe në fjalën e tij paraprake, më parë gjatë javës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ka lënë të kuptojë se raporti përfundimtar do të fajësojë Damaskun për këtë sulm të ndërmarrë, duke fajësuar direkt al-Assadin për atë ngjarje.
Shtuar më 16/09/2013, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori