Vuçiç thotë se do të kërkojë seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi më 6 korrik se do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.Vuçiç

Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in që – bazuar në detyrimet e Rezolutës 12 44 – të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë të Kosovës, që “kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë”, për të kryer “çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura”.

Vuçiç tha se Serbia bëri gjithçka që mundi për të shtensionuar situatën në Kosovë, por se në Kosovë po kryhet një “aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik” të serbëve, i cili është “mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.

Sipas tij, në Kosovë po bëhet “kriminalizimi i popullit serb”.

Në këtë kontekst, ai komentoi edhe deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kearns, se armët nga Serbia në Kosovë po kontrabandohen me automjete emergjente dhe se ato “magazinohen” në objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

Deputetja britanike, njëherësh kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit britanik, Alicia Kearns, këtë deklaratë e bëri në Parlamentin britanik më 4 korrik.

Vuçiç u shpreh se Kearns është “lobuese” për Kosovën.

“Ne po bëjmë një hetim ndaj jush, për të parë se kush po ju paguan gjithçka”, u shpreh Vuçiç. ​

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
  • Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
  • Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

Vuçiç për ndalimin e eksportit të armëve dhe kërkesën e Listës Serbe

Presidenti serb njoftoi se javën e ardhshme po shqyrton mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme “sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar”.

Ai tha se çdo gjë duhet të përgatitet në rast të agresionit ndaj Serbisë.

“Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha, po ashtu, se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe, partisë lidere të serbëve në veri të Kosovës, për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste.

“Ne do të marrim vendime në mënyrë të përgjegjshme dhe në 14 ditët e ardhshme do t’i informojmë partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Vuçiç.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të shpallë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e këtyre strukturave” si “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”, duke iu referuar veriut të Kosovës.

Në letrën dërguar Qeverisë serbe, thuhet se populli serb “po vuan nga terrori dhe represioni i regjimit antiserb të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti qe dy vjet”.

Çfarë është thënë në Prishtinë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 5 korrik hodhi poshtë pretendimet se nuk po arrihet shtensionimi i situatës dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, pasi nuk ka një marrëveshje. Ai tha se Marrëveshja drejt normalizimit, që palët e kanë nënshkruar në shkurt në Bruksel, si dhe Aneksi i saj në Ohër një muaj më pas, ekziston dhe se ajo duhet të zbatohet në tërësi.

Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë, po ashtu, po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

Në zgjedhjet lokale të 23 prillit nuk morën pjesë partitë serbe dhe votimet u bojkotuan nga popullata serbe.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Serbisë që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve, pa kushte, në zgjedhjet e reja të mundshme në veri.

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë.

Kurti tha se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë fer e të hapur “në mënyrë që të mos ketë kërcënime dhe në fund bojkot sërish, e dalje të ulët”./rel


Shtuar 6.07.2023 17:01