Sinanaj filmoi edhe vrasjen e Sokol Veizit
Videoja e vrasjes së peshkatarit, Sokol Veizi nga vrasësi Julian Sinanaj është shumë e qartë për grupin hetimor, për sa i përket përmbajtjes.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë pohuar për gazetën Shqip se personi “mister” që ka kryer filmimet ka qenë në një distancë shumë të afërt nga vendi i ngjarjes. Nga pamjet e sekuestruara gjatë arrestimit të Julian Sinanajt, shihet qartë i gjithë mekanizmi i ekzekutimit të peshkatarit nga Orikumi.


Videoja zgjat rreth një minutë dhe çdo lëvizje e 31-vjeçarit është e dokumentuar. Videoja nis me rrugëtimin e Julian Sinanajt duke shkuar në drejtim të peshkatarit. Ky i fundit ka qenë duke pirë i vetëm kafen e mëngjesit në një prej lokaleve të Orikumit. Vrasësi i është afruar dhe e ka pyetur për emrin. Në këtë moment Veizi është ngritur në këmbë dhe vihet re se mes tyre zhvillohet një bisedë e shkurtër. Sipas burimeve, thuhet se Julian Sinanaj, besohet se pasi e ka pyetur për emrin, i ka kërkuar një dokument identifikimi. Pa asnjë kundërshtim, Sokol Veizi ka nxjerrë portofolin që kishte në xhep dhe i ka dorëzuar kartën e identitetit.

Vrasësi ka parë gjeneralitetet dhe më pas largohet në një distancë të shkurtër nga preja e tij. Nxjerr celularin nga xhepi dhe bën një bisedë shumë të shkurtër telefonike. Sipas burimeve, thuhet se ai ka biseduar me Andon Mëhillajn. Në përfundim të telefonatës, kthehet te peshkatari për t’i dorëzuar kartën e identitetit. Pas këtij veprimi ai e qëllon, duke e lënë të vdekur dhe më pas del prej lokalit. Kjo është përmbajtja e gjithë videos së vrasjes të peshkatarit. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2014, ora 12:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori