Shtohet numri i pacientëve tek Infektivi, 7 në terapi intensive

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sot 50 raste të reja dhe 1 humbje jete si pasojë e koronavirusit.

Lajmi i mirë është se 28 pacientë i janë shtuar listës së të shëruarve në 24 orët e fundit duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.


Shtuar 19.06.2020 08:44