Si u zbulua diplomati - trafikant i droges, Agim Haxhiu?
Albeu.com
Ende nuk ka asnjë informacion tjetër në lidhje me përfshirjen e personave të tjerë në këtë skandal ose për identitetin e pronarëve të 65 kilogramëve heroinë.Afera e diplomatit Haxhiu ka shqetësuar opinionin e gjerë shqiptar, por edhe krerët më të lartë të shtetit, të cilët bënë shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Dyshimi:
"Zhdukja" e sekretarit të dytë të ambasadës shqiptare në Maqedoni është zbuluar vetëm pas ankesës së familjes së tij se nuk kishin asnjë komunikim. Familjarët kanë telefonuar në ministri duke kërkuar ndihmë për të gjetur njeriun e tyre duke thënë se ai ishte nisur në drejtim të Turqisë. "Nëpërmjet Oficerit të Kontaktit të Policisë së Shtetit, të akredituar pranë Përfaqësisë sonë në Ankara, u interesuam pranë organeve kompetente të policisë turke. Objekti i interesimit ishte sigurimi i çdo lloj informacioni të nevojshëm lidhur me hyrjen eventuale në territorin e Turqisë të shtetasit në fjalë, vendndodhjen e tij, si dhe me ndonjë aksident të mundshëm. Ky interesim nisi dhe u përcoll fillimisht si shqetësim i familjarëve të z.Haxhiu edhe të Përfaqësisë sonë në Shkup, pasi që prej datës 1 maj ishin humbur kontaktet me të",- thanë burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme. Sipas tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë turke informoi Oficerin shqiptar të Kontaktit se shtetasi në fjalë rezultonte të ishte futur në territorin turk me automjet, nëpërmjet kufirit tokësor me Bullgarinë, me datë 1 maj 2009, dhe deri në atë moment nuk kishte të dhëna për ndonjë aksident apo rast të ngjashëm lidhur me shtetasin Haxhiu. Për të mundësuar lokalizimin e vendndodhjes së tij u kërkua dhe numri i telefonit që mendohej se kishte në përdorim shtetasi Haxhiu. "Pas pohimit verbal për hyrjen në Turqi të shtetasit shqiptar, Departamenti i Kufirit dhe i të Huajve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë turke, më 6 maj 2009, njoftoi, edhe zyrtarisht me shkrim, Oficerin tonë të Kontaktit për datën e hyrjes në Turqi të këtij shtetasi, data 1 maj 2009. Pas disa komunikimesh, mes Përfaqësisë sonë dhe Autoriteteve policore turke, vetëm sot pasdite, më datë 7 maj 2009, ora 17:43, Policia e Stambollit përcolli me faks njoftimin për ndalimin e shtetasit Agim Haxhiu, me akuzën për tregtim të lëndëve narkotike",- thanë burimet zyrtare të ministrisë. Më pas ato shpjeguan se sekretari i dytë i ambasadës shqiptare në Maqedoni, Agim Haxhiu, është ndaluar në segmentin rrugor Stamboll-Edirne nga organet kompetente turke më datë 2 maj 2009 për tregtim të lëndëve narkotike dhe aktualisht ndodhet në Burgun Maltepe në Stamboll. Vendndodhja konfirmohet edhe nga Konsullata jonë e Përgjithshme në Stamboll. Ministria e Punëve të Jashtme ka theksuar se Agim Haxhiu nuk gëzon asnjë privilegj dhe imunitet diplomatik dhe do të procedohet sipas legjislacionit ne fuqi në Republikën e Turqisë, si dhe konform konventave ndërkombëtare.

Hetimet

Menjëherë pas kësaj, policia turke ka njoftuar autoritetet shqiptare, të cilat kanë preferuar që të mbajnë të fshehtë të gjithë ngjarjen. Por ditën e djeshme lajmi është bërë publik duke e detyruar Ministrinë e Jashtme që të lëshojë një deklaratë justifikuese duke thënë se Agim Haxhia ishte larguar nga vendi i punës pa njoftuar dhe ishte shkarkuar nga detyra. Burimet e policisë turke kanë pohuar dje se Agim Haxhia është përpjekur që të fshihet pas imunitetit diplomatik por kjo nuk ka funksionuar. Ndërkohë, policia shqiptare ka pohuar se ajo nuk ka lidhje me operacionin dhe se nuk është njoftuar nga policia turke për arrestimin. Ende nuk ka asnjë informacion tjetër në lidhje me përfshirjen e personave të tjerë në këtë skandal ose për identitetin e pronarëve të 65 kilogramëve heroinë. Agim Haxhia nuk është pjesë e diplomatëve të karrierës. Ai është përfshirë në radhët e shërbimit diplomatik shqiptar vetëm tre vjet më parë.
Shtuar më 08/05/2009, ora 20:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori