Si u shmangën dy sulme terroriste në Shqipëri, lidhja me dëbimin e diplomatëve iranian
Fakte të reja kanë dalë në "skenë", për sa i përket dëbimit nga Shqipëria të ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia, dhe të shefit të Inteligjencës pranë kësaj përfaqësie
diplomatike.
Sipas të dhënave shkaku i këtij dëbimi është se dy diplomatët kishin lidhje me plaifikimin e sulmeve tërroriste dhe në këtë mënyrë janë shpallur "non grata".
Bëhet fjalë për dy sulme terroriste, të cilat janë parandaluar në
mars dhe në muajin prill, për të cilat u ndaluan dy shtetas iranianë.
Pikërisht hyrja e këtyre dy shtetasve në territorin e Republikës së Shqipërisë ka bërë që të ngrihen
dyshime mbi përfaqësinë
diplomatike iraniane, e cila mund t’i ketë ndihmuar dy të dëbuarit e muajit
mars që të vendosen në Tiranë me pasaporta
diplomatike.
SHISH, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ishin informuar me detaje në lidhje me mbërritjen e dy shtetasve iranianë, emrat e të cilëve nuk u zbuluan asnjëherë nëse ishin të vërtetë. Episodi i parë bën fjalë për festën e 22 Marsit 2018, organizuar nga Kryegjyshata me rastin e Sulltan Nevruzit.
Atë ditë, Prokuroria, SHISH dhe Policia, janë vënë në ndjekje të dy personave, të identifikuar në atë kohë si S.M. 59 vjeç dhe F.Z. 65 vjeç. Këta dy shtetas ishin futur në territorin e Shqipërisë nga Aeroporti i Rinasit, duke kaluar çdo barrierë, për shkak edhe të pasaportave “speciale”. Agjentët e Antiterrorit kanë monitoruar çdo lëvizje të tyre në Tiranë dhe duke qenë se kishin informacione të sigurta se diçka po planifikonin, vendosën t’i ndalonin dhe t’i merrnin në pyetje më 22
mars.
Të dy të ndaluarit thanë përpara agjentëve se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë për Sulltan Nevruzin. Mirëpo, këto deklarata nuk ishin të besueshme dhe agjentët u siguruan që të dy iranianët të dëboheshin nga territori shqiptar. Burimet thonë se informacionet kishin mbërritur edhe për një sulm të mundshëm terrorist në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri për muajin prill. Dy të dëbuarit e muajit
mars dyshohet se kanë qenë të infiltruar të Shërbimit Sekret Iranian dhe hyrja e tyre në Shqipëri lehtësisht dhe informimi për vendndodhjet e muxhahedinëve ngriti
dyshime për përfshirjen e përfaqësisë
diplomatike iraniane. Ka
dyshime të forta se dy të ndaluarit e marsit kanë marrë informacione, strehim dhe ndihmë tjetër nga përfaqësia
diplomatike e Iranit në Tiranë.
Shtuar më 21/12/2018,
ora 16:05