Histori tronditëse, si u rrezikua Ismail Kadare nga Banda e Lushnjës
Pas vrasjes së Taullaut, banda e Lushnjes, ishte e vendosur të hakmerrej deri në fund ndaj çdo punonjësi të shtetit që u kishte hapur probleme. Përmes ndikimit të grupit, disa prej drejtuesve kryesorë ishin larguar nga strukturat e policisë. Një prej tyre ishte edhe ish-drejtori i Policisë Kriminale Xhavit Shala, njeriu që kishte drejtuar operacionin e vitit 1999 kundër bandës.

Në Gusht të vitit 2005, Shalës i vendosin tritol në makinë. Ishte data 13, kur Xhaviti merr mjetin tip benz që e parkonte përballë pallatit. Ai kishte destinacion Elbasanin, ku ndodheshin bashkëshortja dhe fëmijët. Te Shkëmbi i Kavajës, Shala bën një ndalesë dhe konsumon një kafe me ish-ministrin Spartak Poçi.

“Edhe atje kemi qenë atë ditë, e mora vesh disa minuta më vonë ngjarjen që nodhi”, tregon Spartak Poçi, Ish – Ministër i Rendit

Ish-drejtori i Policisë bën një tjetër ndalesë në zonë ku takohet me disa kushërinj nga Kosova. Ai merr një telefonatë nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare i cili e fton për një kafe në banesën e tij te Mali i Robit. Më pas, ai i drejtohet banesës ku qëndronte shkrimtari Kadare.

Top Story, ka siguruar këtë foto të kohës që i përket pikërisht takimit të asaj dite. Shumë pranë tyre ishte edhe mjeti me lëndën plasëse që nuk aktivizohet. Këto detaje që flasin për rrezikun që iu kanos shkrimtarit të madh shqiptar dalin në dritë për herë të parë në këtë dokumentar. Duket se qëllimi i atentatorëve ishte një hakmarrje e egër. Ata e dinin se Shala po shkonte te familja e tij.

Komisari ndalon në një servis në Elbasan pasi mjeti kishte një defekt. Punëtori i servisit, një djalë vetëm 17-vjeçar, nxjerr pakon e mbështjellë me natriban ku ishte lidhur një celular. Në atë moment, me instiktin e një polici Shala merr pakon dhe e hedh diku larg me shpejtësi. Aty mbërrijnë forcat xheniere që çaktivizojnë tritolin.

Pas këtij atentati, Shala nuk i kishte besim as truprojave të shtetit. Ai organizon largimin e bashkëshortes dhe fëmijëve në mënyrë të fshehtë jashtë vendit. /tch
Shtuar më 21/01/2020, ora 22:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori