Si u pushkatuan 104 shqiptarë se Enveri prishi marrëveshjen dhe nuk dorëzoi 3 vajzat gjermane
Kjo eshte historia e panjohur e shqiptarëve të burgosur nga gjermanët në Kampin e shfarosjes në Prishtinë ku më 23 tetor të vitit 1944, komanda e kampit pushkatoi 104 të dënuar, pasi Enver Hoxha prishi marrëveshjen me gjermanët duke mos dorezuar tre vajzat gjermane që mbaheshin peng nga Shtabi i Përgjithshëm në Tiranë.

Ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve të burgosur aty shpëtuan nga plumbi vetëm në sajë të ndërhyrjes së ministrit të Regjencës, Xhelal Mitrovica, i cili mori takim me komandën gjermane dhe iu tha atyre se kampi ishte i rrethuar nga forcat kosovare, të cilat nuk do të lejonin largimin e tyre pa dorezuar të gjithë shqiptarët që mbaheshin të izoluar aty.


Dëshmia e rrallë vjen nga Kristo Budo, njëri nga shqiptarët e dënuar në atë kamp për shkak të veprimtarisë së tij si komunist, i cili shpëtoi i gjallë nga kampi nazist dhe pasi u kthye në Shqipëri, mbajti disa funksione të larta në Ministrinë e Brendëshme dhe inspektor për Pushtetin Lokal në Kryeministri, por pas arrestimit dhe dënimit me vdekje të babait të tij, i akuzuar si “agjent i grekëve”, edhe Kristo përfundoi nën pranga, duke u torturuar barbarisht nga hetuesi famëkeq, Nevzat Haznedari. Pasi vuajti dhjetë vjet burg e internim në Kampin e Zvërnecit, u lirua nga amnistia e vitit 1982 pasi ishte mbi 60 vjeç.

Aty nga mesi i nëntorit të vitit 1944, ne të burgosurit e kampit famëkeq të Prishtinës kishim rënë në një dilemë të madhe, se çfarë do të bëhej me ne: do të na merrnin me vete gjermanët që po tërhiqeshin drejt Berlinit, apo do të na pushkatonin aty. Por fatmirësisht nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra sepse komanda e kampit u largua së bashku me trupat e tjera gjermane dhe na lanë të lirë duke mos na ekzekutuar dhe mbuluar në gropat e posaçme që ishin hapur nga vetë ne të burgosurit, ashtu siç ishte bërë plani që më parë. Kjo gjë ndodhi pasi në momentet e fundit që gjermanët do të zbatonin planin e tyre për ekzekutimin tonë, kosovari Xhelal Mitrovica, një nga Ministrat e Qeverisë shqiptare gjatë periudhës së Regjencës, mori takim me komandën gjermane të kampit dhe ju tha atyre: Ju jeni të rrethuar nga forcat kosovare dhe ne nuk do të ju lejojmë që të largoheni që këtej, pa na i dorëzuar të gjithë robërit e kampit”. Njeriu që flet dhe ka dëshmuar për Memorie.al, është Kristo Budo, i cili tregonte të vërtetën të ngjarjes së nëntorin të vitit 1944, ku të gjithë të burgosurit e Kampit të Prishtinës, mundën të shpëtojnë që andej pa u pushkatuar nga gjermanët, vetëm në sajë të ndërhyrjes së Xhelal Mitrovicës, ish Ministrit të Qeverisë shqiptare gjatë kohës së pushtimit gjerman, Gjë e cila është mbajtur e fshehtë gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe bëhej publike për herë të parë pas më shumë se 75 vitesh. Po kush është Kristo Budo dhe si përfundoi ai në burgun e Tiranës në vitin 1943. Kush ishin të burgosurit e tjerë që qëndronin të izoluar në atë burg dhe si morën ata natën e 26 gushtit 1944 për t’i nisur më pas në drejtim të kampit famëkeq të Prishtinës? Si u bë transporti i të burgosurvë dhe në çfarë itinerari kaloi autokolona e makinave gjermane? Lidhur me këto e të tjera ngjarje nga ajo kohë, na njeh intervista e z. Kristo Budo të dhënë për ne , pak kohë para se ai të dnërrone jetë në shtëpinë e tij në Tiranë.

Zoti Kristo, si u ndodhët ju në burgun e Tiranës në atë kohë?

Gjatë vitit 1942-43 unë fillova të aktivizohesha me grupet edukative të Rinisë Komuniste të Tiranës dhe bëja pjesë në një grup që e drejtonte Reshat Aliaj, (vëllai i Ramiz Alisë) dhe më pas unë kalova në një grup tjetër që drejtohet nga Haki Karapici. Pasi veprimtaria ime që kryeja në kuadrin e atyre grupeve edukative kishte rënë në sy të gjermanëve, në prillin e vitit 1944, unë u arrestova prej tyre dhe pas kësaj më dërguan në burgun e Tiranës pa më nxjerrë fare në gjyq. Pasi më arrestuan, gjermanët më morën në pyetje por nuk tregova asnjë nga shokët e mi të grupeve edukative komuniste. Kjo gjë konfirmohet edhe me faktin se asnjë prej shokëve me të cilët kisha punuar unë, nuk u ndodhi gjë dhe nuk u arrestuan.

Kush ishin të burgosurit e tjerë që gjetët në atë burg dhe ata që erdhën më pas?

Në atë kohë që unë vajta në atë burg, aty kishte jo vëtëm të burgosur politik komunistë, ish-partizanë, por dhe shumë të tjerë nacionalistë demokratë, të rinj puntorë dhe intelektual që e urrenin fashizmin. Mes tyre mund të kujtoj avokatin Sulo Bogdo, babain e Vasil Shantos me të bijën Bojka, plakun Sadik Petrela, Kostë dhe Taqi Memën, dy vëllezërit Papuçiu nga Fieri, Luigj Filipin me gruan Sandrën. Po kështu ishin luftëtarët e njohur Spiro Velko, Kin Dushi, Gjikë Kuqali, Musa Agolli, Ramazan Kruja, Bilal Ganxholli, Niko Avrami, gjyqtarët Gaqo Floqi dhe Grigor Gjika, Hysen Dashi etj.

Si e kujtoni atë ditë që gjermanët ju morën nga burgu i Tiranës për t’ju dërguar në kampin e Prishtinës?

Ka qenë data 26 gusht e vitit 1944 kur ne të burgosurit politik që ndodheshim në burgun e Tiranës, na urdhëruan që të dilnim të gjithë në oborrin e atij burgu që ishte i rrethuar me ushtarë të shumtë gjerman. Drejtoria e burgut së bashku me gjermanët na bënë apelin dhe më pas na hipën në kamionë që pritnin të niseshin. Në çdo makinë kishte nga një oficer gjerman me dy ushtarë të armatosur dhe pas çdo makine kishte nga një autoblindë.

A kishit dijeni më parë se do t’u dërgonin në kampin e Prishtinës?

Jo vetëm që ne nuk kishim dijeni më përpara, por edhe në atë ditë të 27 gushtit, ne nuk dinim se për ku po shkonim. Mbrëmjen e 26 gushtit në Tiranë ishte hapur lajmi për këtë transferim të burgosurish dhe për këtë shkak, u mblodhën shumë nga njerëzit e familjeve tona të cilët prisnin me ankth se çdo të ndodhte me ne.

Po komanda e burgut kishte dijeni për këtë transferim të burgosurish?

Komanda e burgut nuk kishte dijeni se për ku do të na çonin gjermanët atë natë dhe këtë e kemi mësuar më vonë pas mbarimit të Luftës. Në dokumentat e administratës së Burgut është gjetur një shkresë e cila ndodhet në Arkivën Qendrore të Shtetit ku thuhet: ”Vërtetohet se këta persona (vijon lista me emrat e tyre) i kanë marrë gjermanët në prezencën e major Hamdi Jusufit dhe Kapitenit Xhelal Staraveckës”.

Në çfarë itinerari u krye transporti juaj për në Prishtine?

Autokolona e makinave gjermane përshkoi rrugën nacionale Tiranë-Milot-Shkodër. Atë natë na mbajtën në qytetin e Shkodrës në një fushë të hapur të rrethuar me tela me gjëmba. Të nesërmen gjermanët na sollën edhe shumë të burgosur të tjerë politikë, burra e gra që kishin qenë në burgun e Shkodrës. Midis tyre kujtoj Llazar Siliqin, Sabah Hilmin, Gac Mazin, Stefan e Vasil Pistolin, Qemal Jasharin, Seit Boshnjakun, Vladimir Misjen, motrat Marie (Varfi) dhe Despina (Trimçiev). Të nesërmen e asaj nate autokolona e makinave gjermane ku ishim ne, vazhdoi rrugën Shkodër-Pukë-Kukës dhe prej aty na ndaluan në qytetin e Prizrenit. Atë mëngjes që u nisëm nga Shkodra, populli i atij qyteti na bëri një përcjellje me të vërtetë të bukur duke na përshëndetur në të dy anët e rrugës. Kur mbërritëm në Prizren ne filluam të këndonim këngë patriotike nga të cilat u zgjuan shumë qytetar të cilët dolën nëpër dritare. Pas Prizrenit vijuam rrugën deri në Prishtinë, ku na ndaluan pranë disa kazermave ku ishte instaluar kampi.

Si u sistemuat në atë kamp?

Kur mbërritëm në kampin e Prishtinës, ushtarët gjerman na zbritën nga makinat duke na bërtitur e na qëlluar me kamzhik. Aty na vendosën në kapanone, në njërin prej tyre u vendosëm ne të burgosurit e Tiranës dhe në tjetrin ata të Shkodrës. Kuse gratë i vendosën në dy dhoma ngjitur me kampin tonë, por të ndarë nga një gardh me tela me gjemba. Në ato dy kapanone ishim gjithësej afro 200 veta dhe flinim ngjitur me njeri-tjetrin sa mezi lëviznim. Aty gjetëm dhe të internuar të tjerë kosovarë, serb, malazez, Italian, e ndonjë hebre, e nga kontaktet me ta mësuam për trajtimin ç’njerëzor që u bëhej të burgosurve dhe veçanërisht për pushkatimet që ishin bërë deri në atë kohë sidomos të burgosurve kosovarë.

Po në kohën që shkuat ju në atë kamp, a pati pushkatime?

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga dita që shkuam ne aty, gjermanët morën 26 të burgosur që ishin të gjithë nga Shkodra dhe i pushkatuan në rrethinat e qytetit të Kukësit. Ky akt nga gjermanët u bë në shenjë hakmarrjeje, sepse ato ditë partizanët kishin sulmuar një autokolonë naziste që ishte duke u tërhequr në rrugën Kukës-Prizren, ku kishin vrarë disa ushtarë. Pas pushkatimit të 26 të burgosurve shkodranë, gjermanët vazhduan përsëri dhe natën e 23 tetorit 1944 ata pushkatuan 104 të burgosur shqiptarë nga ai kamp.

Si qëndron e vërteta e pushkatimit të 104 të burgosurve, sepse është thënë se gjermanët i ekzekutuan ata, pasi Enver Hoxha prishi marveshjen që kishte bërë me ta. për lirimin e tre vajzave gjermane që mbaheshin peng në Tiranë nga forcat partizane?

Po për këtë marveshje që pyesni, u përfol asokohe në kampin e Prishtinës dhe për këtë ishin në dijeni pothuaj të gjithë të burgosurit. Ato ditë para se të pushkatoheshin 104 shokët, në kamp u hap fjala se ishte bërë një marveshje në mes gjermanëve dhe Shtabit të Përgjithshëm që e komandonte Enver Hoxha, për shkëmbimin e tre vajzave gjermane, që mbaheshin peng në Tiranë, me dhjetë të burgosur të Kampit të Prishtinës. Kjo marrveshje, sipas fjalëve që qarkullonin në kamp, nuk u arrit të realizohej sepse Shtabi i Përgjithshëm nuk i liroi tre vajzat dhe gjermanët në shenjë hakmarrje, pushkatuan 104 të burgosur. Po kështu asokohe thuhej se pushkatimi i tyre u bë si shenjë hakmarrje, ndaj 16 gjermanëve të plagosur që u sulmuan e u vranë nga guerilët e Tiranës, në Rrugën e Dibrës. Nuk e di sa të vërteta ishin këto, por ky version diskutohej nga ne të burgosurit e Prishtinës.

Është thënë se për ndërmjetësimin e marveshjes për shkëmbimin e tre vajzave gjermane me dhjetë komunistët e burgosur, asokohe në kampin e Prishtinës ka ardhur Kapiten Petraq Pekmezi, që shërbente si përkthyes në Gestapo?

Po, ka ardhur Kapiten Petraq Pekmezi disa herë në kampin e Prishtinës ku edhe ka liruar disa nga të burgosurit që ishin në atë kamp. Petraqi është vëllai i dëshmorit Trajan Pekmezi, ka ditur shumë gjëra, sepse ai ka ndërmjetësuar në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandës gjermane, ku thuhej se në atë kohë është bërë një marrveshje në mes tyre, ku partizanët nuk do t’i godisnin forcat gjermane gjatë tërheqjes së tyre nga Tirana. Sidoqoftë këto janë me të dëgjuar, sepse të vërtetën e tyre e ka ditur vetëm Petraq Pekmezi, të cilin partizanët e pushkatuan në oborrin e shtëpsë, dy tre ditë para çlirimit të Tiranës. Petraqi u kishte bërë shumë punë komunistëve dhe duke e ndjerë veten të pastër, nuk pranoi të largohej nga Tirana me gjermanët. Por fatkeqësisht atë e vranë.

Si e kujtoni pushkatimin e 104 të burgosurve të atij kampi gjerman?

Si çdo ditë dhe ditën e 23 tetorit na nxorrën në punë që në orët e para të mëngjesit dhe na çuan për të hapur transhe përreth Prishtinës. Mirpo, atë ditë si asnjëherë tjetër afër drekës papritur na urdhëruan ta ndërprisnim punën dhe u kthyem në kamp. Mbas dite na rradhitën të gjithëve jashtë kapanonit dhe një oficer gjerman me një listë në dorë filloi të lexojë emra e të burgosurve të Tiranës. Ata që dëgjonin emrat, dilnin nga rreshti dhe qëndronin të veçuar. Mbasi thërritën 104 vetë, i mbyllën të gjithë në një nga dhomat ku banonin gratë. Kur i futën aty ne filluam të diskutonim me njëri-tjetrin dhe disa thonin se do t’i transferonin në një kamp tjetër, por mbajtja e tyre deri në mbrëmje na vuri në pikëpyetje nëse do të pushkatoheshin dhe kjo gjë u vërtetua sapo u ngrys. Në atë kohë ne na mbyllën shpejt dyert e kapanonit dhe pas pak filluan të dëgjohen të shtëna armësh me ndërpreje fare pranë kampit. Pasi i xhvishnin, i qëllonin me armë dhe i hidhnin në gropë.

A mbani mënd ndonjë nga ata që u pushkatuan?

Po më kujtohen shumë prej tyre që i njihja nga afër. I pari që u muar nga dhoma për t’u pushkatuar ishte Sadik Petrela i cili kur po dilte tha: ”Çuna, unë po shkoj se jam plak”. Në atë kohë shokët e kuptuan se po e çonin në pushkatim dhe menjëherë hoqën një dërrasë nga tavani dhe disa prej tyre si Spiro Velko, Musa Agolli, Servet Tepelena, etj, u ngjitën dhe filluan të kalojnë nga një kapanon në tjetrin deri sa zbritën në kapanonin tonë. Gjermanët e kuptuan se të burgosurit po iknin nga vrimat e tavanit dhe u futën brënda në kapanon duke qëlluar me automatik. Aty, teksa kishte ngjitur trupin në vrimën e tavanit, mbeti i vrarë Hektor Shyti nga Vlora, ndersa të tjerët i gjetën në kapanonin tonë. Nga ata mundën të shpëtojnë katër-pesë vetë si Servet Tepelena, që gjermanët nuk i diktuan dot dhe ata të infermierisë. Më kujtohet Musa Agolli, kur e morën tha: ”Vdekje fashizmit, lamtumirë shokë”. Atë e pushkatuan që aty. Me Xhavit Jukniun ndodhi ndryshe, ai nuk figuronte në listën për pushkatim, por kur oficeri gjerman ia pa kokën të lidhur me fasho, vendosi t’a marrë për pushkatim, duke kujtuar se ai e kishte vrarë gjatë kalimit në tavan. Xhaviti i shkreti i tha oficerit se nuk ishte në listë, por ai e mori dhe e pushkatoi.

Si ju trajtonin gjermanët në atë kamp dhe çfarë punësh bënit aty?

Trajtimi ishte ç’njerëzor njëlloj si në të gjitha kampet naziste. Ushqimi ynë i përditshëm ishte një lugë supë ose çaj dhe disa gram bukë e zezë. Nuk lejohej të blinim asgjë, as cigare, as ndonjë pako me ushqime nga familjet apo Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, siç veprohej në kampet e tjerë. Nga uria ne shkonim në stallat e kafshëve dhe mblidhnim copa buke të mbetura. Kur dilnim për në punë, banorët e Prishtinës na jepnin ndonjë ushqim, sidomos bukë, por kjo gjë ishte me rrezik sepse kontrolloheshim kur ktheheshim në kamp.

Si shpëtuat të dilnit i gjallë nga ai kamp?

Nga fundi i tetorit 1944, duke përfituar nga rasti që mu dha, unë u arratisa nga kampi së bashku me Filip Muçin e disa shokë të tjerë. Kur ika që andej shkova në Drenicë ku ishte Batalioni i Kosmetit, kurse shokët e tjerë që u arratisën me mua u inkuadruan në Brigadën 18-të.

Po të tjerët?

Të gjithë ne të burgosurit e atij kampi ishim në dilemë të madhe nëse do të na merrnin gjermanët me vete drejt Berlinit apo do të na ekzekutonin aty ashtu siç po vepronin edhe në kampe të tjera. Por fatmirësisht nuk ndodhi asnjëra dhe as tjetra, sepse komanda e kampit u largua së bashku me trupat gjermane dhe ne na lanë të lire, duke mos na ekzekutuar e mbuluar në gropat që ne i kishim hapur vetë.

Kjo mrekulli ndodhi pasi në momentin e fundit kur gjermanët donin të zbatonin planin për ekzekutimin tonë, kosovari Xhelal Mitrovica, një nga Ministrat e Qeverisë shqiptare të Regjencës Kuislinge, mori kontakt me komandën e kampit dhe iu tha atyre: ”Jeni të rrethuar nga forcat kosovare dhe në rast se nuk do t’i lironi të gjithë të burgosurit, asnjë prej jush nuk do të lejohet të dalë nga ky kamp. Ju jeni transit dhe nuk keni pse t’i pushkatoni të burgosurit e kampit. Na i dorëzoni ata sipas listave që keni pastaj do t’u lejojmë të largoheni”. Të ndodhur në këto kushte, komanda gjermane u detyrua të pranojë kushtet e vëna dhe u lejua të largohet. Përpara kësaj, Xhelal Mitrovica kishte liruar nga ai kamp edhe Gaqo Floqin që e kishte pasur shok gjatë studimeve në Perëndim si dhe disa familje e gra të tjera që i nisi me këmbë për në Shqipëri.

Kush ishte Kristo Budo?

Kristo Thoma Budo ka lindur në vitin 1921 në fshatin Postenam të Leskovikut dhe gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vëndit, e gjithë familja e tij ka qenë e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste dhe Kristo së bashku me dy vëllezërit e babanë e tyre, kanë pasur dhe funksione drejtuese në formacionet partizane. Pasi Kristo u arrestua nga gjermanët dhe përfundoi në Kampin e Prishtinës, ai arriti që të arratisej që andej dhe përfundoi në Batalionin partizan të Kosmetit (Kosovë-Metohit), ku u caktua përgjegjës i Rinisë së Brigadës së 18-të dhe Komisar Kompanie në Brigadën e 29-të. Në vitin 1945, ai u kthye nga Kosova në Shqipëri dhe u caktua si Komisar i rrethit të Matit me gradën e nëntogerit dhe më pas në vitin 1946, ai u caktua sekretar Politik në Komitetin e Partisë të Peshkopisë.

Në vitin 1947 Kristo u emërua nëndrejtor i Seksionit të Punëve të Brendëshme të Qarkut të Peshkopisë për Policinë, me gradën toger dhe më pas ai u transferua në Tiranë si instruktor për Edukimin në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Në majin e vitit 1949, ai u emërua si inspektor për Pushtetin Lokal në Kryeministri, detyrë të cilën e ushtroi për shumë vjet me rradhë (në vitin 1953, për një vit punoi edhe si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Fierit) dhe në vitin 1964, Kristo u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, pasi pak kohë më parë ishte arrestuar babaj i tij, Thomai, duke u akuzuar si “agjent i grekëve” dhe pasi u dënua me vdekje, u pushkatua.

Ndërsa Kristo, pasi u mbajt për dy vjet e gjysëm në Hetuesi duke u torturuar barbarisht në një ambient të izoluar diku në pyjet e Krrabës, më 24 nëntor të vitit 1967, ai u gjykua nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë dhe ndonëse ai fitoi pafajësinë, ai nuk u lirua, por e internuan në Ishullin e Zvërnecit në Vlorë ku vuajti plot tetë vjet. Pas mbylljes së Kampit të Zvërnecit, Kriston e internuan përsëri në qytetin e Beratit ku punoi si punëtor krahu dhe në gushtin e vitit 1980, ai u arrestua përsëri dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik, por mundi të lirohet nga amnistia e vitit 1982, pasi ishte mbi 60-vjeç. / Memorie.al

Shtuar më 19/12/2019, ora 08:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori