Në burg për sulm seksual, Alves mohon akuzat: Jam i pafajshëm, doja të shpëtoja martesën

Ish-futbollisti i Barcelonës, Sevillas dhe Brazilit, Dani Alves mbetet në burg teksa pret gjykimin për sulm seksual, por ka thënë se do të provojë pafajësinë e tij.
Alves kohët e fundit pati një apel të dytë për t’u liruar nga burgu me kusht, pasi ai u përcaktua si rrezik ikje.

Braziliani 40-vjeçar ka shpjeguar se fillimisht ka gënjyer për atë që ka ndodhur për të shpëtuar martesën e tij. Ai në fillim pretendoi se nuk e njihte palën akuzuese, por më pas pranoi se kishte pasur një marrëdhënie seksuale konsensuale me të në një banjë klubi.

“Vetëm dy njerëz e dinë se çfarë ka ndodhur dhe veçanërisht çfarë nuk ka ndodhur. Unë them të vërtetën. Mendoj se të gjithë e kuptojnë se unë po përpiqesha të shpëtoja martesën time dhe kjo është arsyeja pse thashë atë që thashë në radhë të parë. Kjo ishte arsyeja e vetme dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Flitet për versione të pafundme dhe unë kam dëshmuar vetëm dy herë para gjyqtarit”, tha ai.

Joana Sanz, partnerja e Alves, është ndarë nga Alves ndërsa ai është në burg, por është kthyer për ta vizituar atë në qeli.

Ish-mbrojtësi i djathtë vazhdoi të ankohej për kohëzgjatjen që kishte kaluar në burg pa gjyq, dhe gjithashtu pretendoi se veprimet e tij nuk ishin ato të një njeriu të pafajshëm.

“Unë jam në burg që nga 20 janari dhe ende nuk jam gjykuar. Do të vërtetohet që nuk jam fajtor dhe ka qenë një marrëdhënie konsensuale. Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend t’i imponoja dikujt aktin seksual siç është shkruar. Shkova në zyrën e policisë me dëshirën time nga Meksika dhe refuzova të shkoja në Brazil, një vend që nuk do të kishte bashkëpunuar me Spanjën për të arrestuar. E bëra për të mbrojtur veten dhe për të provuar pafajësinë time”, tha Alves.

 


Shtuar 14.06.2023 11:03