Si ripërtërihet leja e qëndrimit në Itali?
Albeu.com
Një emigrant shqiptar që jeton në Itali dhe ka një leje qëndrimi në prag të skadencës mund të kërkojë rinovimin e saj pranë zyrave postare, ose komunave dhe organizatave të punëdhënësve të kualifikuara vetëm për motivet e mëposhtme:Një emigrant shqiptar që jeton në Itali dhe ka një leje qëndrimi në prag të skadencës mund të kërkojë rinovimin e saj pranë zyrave postare, ose komunave dhe organizatave të punëdhënësve të kualifikuara vetëm për motivet e mëposhtme: kujdestari, adoptim, motive fetare, rezidencë, studime, azil politik, nxënie për formim profesional, në pritje të rifitimit të shtetësisë, si dhe punësim i pritshëm. Për të gjitha motivet e tjera, ata duhet t‘u drejtohen kuesturave. Në rastet kur emigranti e ka miratimin dhe kërkon lëshimin e lejes së qëndrimit për punësim, ose motive familjare, duhet të drejtohet te Sporteli Unik mbi Emigrimin.

Pranë të gjitha zyrave postare, gjenden paketat e posaçme. Ato që janë me ngjyrë të verdhë duhet të përdoren nga personat që vijnë nga vende jo anëtare në BE, sikundër është edhe Shqipëria. Pranë komunave, apo organizatave të punëdhënësve nuk nevojitet paketa në letër. Për të plotësuar kërkesën mund të përdoret asistenca falas dhe e kualifikuar. Paketa duhet dorëzuar në zyrat postare, me "Sportelin Mik" në një zarf të hapur. Për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit duhet të dorëzohet edhe një kopje e kartës së skaduar së bashku me pasaportën. Punonjësi i zyrës postare lëshon një dëftesë (ricevuta), e cila, e bashkëlidhur me lejen e skaduar, zëvendëson dhe ka vlerën e dëftesës aktuale (cedolino).

Shpenzimet

Një emigrant shqiptar duhet të paguajë 2750 euro, si dhe të ketë me vete librezën e llogarisë rrjedhëse postare, kur kërkon një leje qëndrimi me vlefshmëri kohore më të gjatë se 90 ditë. Buletini ose libreza gjendet pranë zyrave postare me "Sportelin Mik". Pagesa prej 14.62 eurosh bëhet për pullën e monopolit. Ndërsa 30 euro të tjera i duhen paguar punonjësit të zyrës postare, të cilit i është dorëzuar kërkesa e plotësuar. Për lëshimin e lejes, zyra e emigrimit e kuesturës e thërret personin e interesuar përmes një letre rekomande për të marrë treguesit fotodaktiloskopikë dhe cakton takimin për tërheqjen e lejes së qëndrimit.

Kontakte

Në "Portale Immigrazione" www.portaleimmigrazione.it mund të gjenden informacione të përgjithshme mbi procedurën; adresa të komunave dhe të organizatave të kualifikuara të punëdhënësve; adresa të zyrave postare me "Sportelin Mik"; ecurinë e praktikës personale, duke futur në një zonë të rezervuar user id dhe password, që gjenden në dëftesën e lëshuar nga posta italiane, në çastin e paraqitjes së kërkesës. Veç kësaj, emigranti mund të përdorë numrat e mëposhtëm: 800.309.309 (falas), i cili administrohet në bashkëpunim me ANCI (Shoqata Kombëtare e Komunave Italiane) për informacione të përgjithshme dhe adresat e komunave e organizatave të punëdhënësve të kualifikuar. Numri është në punë çdo ditë, 24 orë pa ndërprerje, në gjuhën angleze, spanjolle, arabe dhe frënge, por asnjëherë shqiptare. Numri tjetër është 803.160, gjithashtu falas, i postës italiane për të mësuar adresën e zyrave postare me "Sportelin Mik". Numri është në punë nga e hëna deri të shtunën me orar 08.00-20.00 Një tjetër numër kontakti është edhe 848.855.888, që ka tarifë urbane për informacionin, lidhur me ecurinë e praktikës që duhet ndjekur.

Leje për më shumë se tre muaj

Personi, i cili vjen në Itali për herë të parë, ka 8 ditë kohë për të paraqitur një kërkesë për leje qëndrimi. Ndërsa ata persona që tashmë janë në Itali dhe kanë leje qëndrimi në skadim, duhet të kërkojnë ripërtëritjen e saj, brenda dhe jo më shumë se 60 ditë nga skadimi i saj.

Lejet në kuesturë

Risia, nën tre muaj qëndrim pa kartë

Marrëveshja midis Ministrisë së Brendshme dhe postës italiane parashikon që pranë kuesturave të pranohen praktikat e nevojshme për lëshimin e 11 tipologjive të lejeve të qëndrimit. Ato përfshijnë lejet për biznes, kurim mjekësor, gara sportive, mision, motive humanitare, azil politik, moshë e mitur, drejtësi, status i personit pa shtetësi, integrimi i të miturve, si dhe ftesa të ndryshme. Kohët e fundit ka pasur një risi për lejet me vlefshmëri kohore më pak se 3 muaj. Kështu që nga 2 qershori, të huajt mund të vijnë në Itali me motive turizmi, vizite, apo studimi, pa kërkuar leje qëndrimi. E rëndësishme është që qëndrimi i tyre në territorin italian të mos i kalojë 3 muajt. Kjo është risia që parashikohet në ligjin nr. 68 të 28 majit 2007, botuar në gazetën zyrtare të 1 korrikut 2007. Sipas dispozitave të reja, shtetasit nga shtete jo anëtare të BE-së, që vijnë në Itali për një periudhë kohore më të shkurtër se 3 muaj, duhet që vetëm të deklarojnë praninë e tyre në territorin italian, në çastin e hyrjes. Deklarimi mund të bëhet pranë autoriteteve të kufirit, apo pranë kuestorit të provincës, ku gjendet emigranti, sipas modaliteteve, të cilat do të vendosen me një dekret të ministrit të Brendshëm. A. Rr.


Dokumentet dhe afatet e lejeve

Çfarë nuk duhet harruar...

Për të përfituar një leje qëndrimi të ripërtërirë për secilin aplikant është e domosdoshme paraqitja e modulit të kërkesës, pasaportës, apo një dokumenti të barasvlefshëm, i vlefshëm në kohë, me vizën përkatëse të hyrjes, nëse kërkohet një gjë e tillë. Gjithashtu, duhet paraqitur edhe një fotokopje e vetë dokumentit bashkë me 4 fotografi të formatit tesër, kopje e njëjtë dhe e kohëve të fundit. Këtyre u shtohet një pullë monopoli me vlerë 14,62 euro, si dhe dokumentacioni i nevojshëm për tipin e lejes së qëndrimit të kërkuar. Ripërtëritja e lejes së qëndrimit duhet kërkuar, të paktën 90 ditë para skadimit për dokument me një vlefshmëri kohore 2-vjeçare. Afati për lejen e qëndrimit me vlefshmëri kohore 1-vjeçare është të paktën 60 ditë para skadimit dhe kërkesa për ripërtëritjen e dokumenteve për të gjitha rastet e tjera është plot 30 ditë para skadimit të tyre. Skadenca e lejes së qëndrimit është po ajo e vizës së hyrjes: deri në gjashtë muaj për punë stinore dhe deri në nëntë muaj për punë stinore në sektorë, që e kërkojnë këtë zgjatje. Ajo shkon deri në një vit për ndjekjen e një kursi për studim, apo formim profesional, sigurisht i dokumentuar. Ndërkohë që kohëzgjatja më e madhe e lejuar është deri në dy vjet si i vetëpunësuar. Një tjetër motiv është ai për punësim si punëmarrës me kohë të papërcaktuar, si dhe për ribashkimet familjare. G. Shqip
Shtuar më 06/11/2007, ora 00:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori