Si pandemia thelloi problemin e mungesës së kushteve të punës në industrinë fasone
78.8% e vajzave dhe grave të larguara nga puna në fasoneri nga korriku i vitit të kaluar nuk kanë përfituar asnjë ndihmë ekonomike apo asistencë sociale për papunësi, ndërsa 88.3% e tyre nuk kishin informacion për procedurën që duhej ndjekur për të marrë pagën e papunesisë. Shifrat e sondazhit të kryer nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” në kuader të monitorimit të efekteve te pandemisë në punësimin e vajzave dhe grave në sektorin fason u bënë publike këtë të martë gjatë Tryezës Kombëtare të Diskutimit mbi “Të drejtat e grave punonjëse në fabrikat “fasone”, si pjesë e projektit të realizuar me mbështetjen e qeverisë suedeze përmes “Olof Palme International Center”.

Kompanitë e industrisë së prodhimit të veshjeve dhe këpucëve konsiderohen si një nga burimet kryesore të punësimit të grave në Shqipëri. Në analizën e zhvilluar për të parën herë në Shqipëri nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti theksoi se gratë përballen me paga të ulëta, të detyruara të punonjnë në kushte të vështira, në mungesë të mbrojtjes së duhur sociale dhe te papërfaqsuara në sindikata, shpesh ato janë të paregjistruara. Janë pikërisht këto kushte, që ndikojnë në refuzimin e vajzave dhe grave për të punuar në këtë sektor.

Ky konstatim doli në pah gjatë të dhënave që përcolli Këshilltarja e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Majlinda Demko. Ajo verejti se pavarësisht se në total janë regjistruar 6280 kërkesa për punësim në industrinë fason, 4170 prej tyre kanë mbetur të paplotësuara, duke dëshmuar për interesin e ulët të forcës së punës, kryesisht vajza dhe gra, që punojnë zakonisht në këtë sektor.

Ajo çka duhet përmiresuar në këtë drejtim është kontrolli i zbatimit të kodit të punës. Në këtë kuadër, nënkryetarja e parlamentit Vasilika Hysi theksoi nevojën për të përforcuar kontrollin parlamentar në lidhje me të drejtat dhe liritë e sanksionuara me ligj në kodin e punës. Në funksion të këtij prioriteti të kuvendit për këtë vit që sapo ka nisur, znj.Hysi, kerkoi që të ketë më shumë bashkërendim dhe koordinim të të gjitha institucioneve përgjegjesë për të garantuar sa më shumë të drejtat ekonomike dhe sociale.

Pandemia ka theksuar dukshëm problemet ekzistuese në sektorin fason. Sondazhi i GADC i ndërmarrë gjatë Shtatorit të 2020-ës ka evidentuar se në periudhën e mbylljes për shkak të masave të marra për të parandaluar përhapjen e COVID-19, shumë prej këtyre grave u hoqën nga lista e pagesave, punuan pa kushte të përshtatshme sipas protokollit për pandeminë, u laguan nga puna/ose i hoqën si dhe punuan me orë të reduktuara.

Albana Konçi, koordinatore e projektit beri me dije se jane realizuar 10 fushata ndërgjegjsuese me mbi 250 vajza dhe gra në 40 fasoneri në 10 qytete të vendit, me qëllim fuqizimin e njohurive të tyre për të drejtat që kanë sipas kodit të punës. Si rrjedhojë 60% e grave kanë raportuar përgjatë vitit që lamë pas në emër të kolegevë të tyre për shkeljet e vërejtura. Dhjetë raste nga këto denoncime janë ndjekur në mënyrë zyrtare nga Inspektoriati i Punës, ndërsa 12 raste të denoncuara në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 18 18, aktiv prej 2018-ës nga Aleanca Gjinore për Zhvillim janë duke u ndjekur nga përfaqsuesit ligjorë të organizatës.
Shtuar më 19/01/2021, ora 12:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori