Si dilet nga kriza ku gjenden sot Kosova dhe Serbia

Nga Berta López Domènech “European Policy Centre

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Javën e kaluar, tensionet u përshkallëzuan sërish në veri të Kosovës, kur kryetarët e komunave me shumicë serbe në Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicës së Veriut, të zgjedhur së fundmi nga radhët e shqiptarë etnikë, u përpoqën që të merrin detyrën.

Gazetarët, oficerët e policisë dhe trupat e Forcave të Kosovës (KFOR) u sulmuan nga demonstruesit serbë që u përpoqën të pengonin kryetarët e rinj të hynin në ndërtesat komunale. Kryetarët e komunave u zgjodhën në një votim të jashtëzakonshëm të mbajtur më 23 prill të këtij viti për të plotësuar vendet e lënda bosh pas tërheqjes së serbëve të Kosovës nga administrata publike në nëntor 2022.

Këta të fundit dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër vendimit të Prishtinës për të filluar gjobitjen e shoferëve që mbajnë ende targat serbe. Procesi u bojkotua nga serbët, të cilët përfaqësojnë rreth 90 për qind të popullsisë në veri të Kosovës, duke shkaktuar një pjesëmarrje të ulët – rreth 3.5 për qind – dhe duke i dhënë fitoren kandidatëve shqiptarë.

Bojkoti i nxitur nga qeveria serbe dhe Lista Srpska e mbështetur nga Beogradi, lidhet ngushtë me presidentin serb Aleksandar Vucic dhe partinë e tij, SNS. Lista Srpska kontrollon institucionet lokale në veri të Kosovës, dhe ka monopolin e përfaqësimit politik të serbëve të Kosovës.

BE dhe SHBA e kanë fajësuar Kosovën për provokimin e trazirave të reja, duke u kërkuar të dyja palëve që të zbutin tensionet. Gjatë samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi në fillim të këtij muaji, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Josep Borrell, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz takuan Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vucic.

Ata u kërkuan atyre të përsëritjen e zgjedhjeve në veri sa më shpejt që të jetë e mundur, duke siguruar ketë herë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Në interes të marrëdhënieve të mira me Brukselin, ata kërkuan nga udhëheqësit ballkanikë të ngrenë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ASM).

Krijimi i një organi që do të gruponte komunat ku janë shumicë serbët etnikë, do t’u jepte këtyre të fundit një nivel të caktuar vetëqeverisje, ishte përfshirë tashmë në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e arritur në bisedimet dypalëshe të ndërmjetësuara nga BE-ja.

Por 10 vite më vonë, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me natyrën e tij. Në shkurt të këtij viti, presidenti serb Vucic dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ranë dakord me një propozim të ri të BE-së për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve.

Por ata nuk kanë sërish dakord për zbatimin e saj për shkak të çështjes së asosacionit. Beogradi e konsideron ASM-në si pikënisje në procesin e zbatimit, ndërsa Prishtina ka frikë se asociacioni e kërcënon integritetin e saj shtetëror. Në fakt, përshkrimi i paqartë i natyrës dhe kompetencave të asociacionit në marrëveshjen e vitit 2015-ës i lë hapësirë ​​të dyja palëve ta interpretojnë marrëveshjen sipas interesave të tyre.

Ndërsa Beogradi po ushtron presion për të krijuar në veri një lloj qeverisje me pushtet ekzekutive, e cila ofron një nivel të lartë autonomie për serbët e Kosovës, Prishtina refuzon t’u japë një pushtet vetëqeverisës serbëve, teksa pretendon se është antikushtetues krijimi i një entiteti mono-etnik.

Po ashtu, Prishtina druhet se asociacioni mund të shndërrohet në një organ si Republika Srpska në Bosnje, të cilin Serbia do ta përdorë pastaj për të institucionalizuar kontrollin e saj mbi serbët e Kosovës. Për këtë arsye, është e rëndësishme që paralelisht me mbështetjen e krijimit të ASM-së, Serbia të fillojë edhe shpërbërjen e institucioneve paralele që financon në veri të Kosovës, të cilat i bëjnë serbët e Kosovës të varur nga ndihma financiare dhe politike e Beogradit.

Tërheqja e Serbisë është vendimtare që asociacioni të integrojë me sukses serbët në sferën politike dhe institucionale të Kosovës. Ndërkaq, BE-ja duhet të sigurojë një tranzicion të qetë nga institucionet paralele serbe në ASM, për të garantuar nevojat dhe të drejtat e përditshme të serbëve të Kosovës, të cilat deri më tani janë lënë jashtë diskutimit.

Përfshirja e qytetarëve nga komunat me shumicë etnike serbe dhe e organizatave të shoqërisë civile si bashkëbisedues në dialogun rreth asociacionit, mund të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit aktual dhe në përgatitjen e komuniteteve për zbatimin e marrëveshjeve në terren.

Në tërësi, themelimi i asociacionit do t’i jepte mundësi të dyja palëve të ecin përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, dhe të fokusohen në zbatimin e aspekteve të tjera të marrëveshjeve, siç është mos-kundërshtimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Por ai do t’i hapte gjithashtu Kosovës rrugën drejt BE-së, teksa Prishtina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në dhjetor 2022. Ndërkaq asociacioni do të ndihmonte serbët e Kosovës që të integrohen në strukturën institucionale të Kosovës.

Prishtina duhet të pranojë një nivel të vetë-menaxhimit për komunat në veri në fushat për të cilat është rënë dakord në vitin 2013, pra zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural. Ndërkohë, Beogradi duhet t’i lejojë serbët e Kosovës të bisedojnë drejtpërdrejt me Prishtinën dhe të mos mbështetin strategjinë e Listës Serbe për të ruajtur monopolin mbi përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës, të cilën ajo e bën përmes frikësimit.

Për shkak të luftës në Ukrainë, BE-ja është bërë veçanërisht e prirur për ta zgjidhur sa më shpejt mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë. Lufta rindezi alarmin për kërcënimin e Rusisë ndaj BE-së dhe fqinjëve të saj, teksa shumë njerëz e shohin Ballkanin Perëndimor si vijën e re të frontit të përplasjes midis Moskës dhe Bashkimit.

Serbia dhe grupet e pakicës serbe në vendet fqinje – Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova – janë partnerët kryesorë të Putinit në rajon. Kremlini e ka nxitur enkas nacionalizmin serb për të ruajtur stabilitetin në rajon, dhe për të parandaluar që vendi ballkanik të përparojë në rrugën e tij të integrimit euroatlantik.

Nga ana e saj, Serbia mësoi se si të përfitonte nga lidhja e saj ruse kur negocionte me BE-në, duke u paraqitur si garantuese e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Prandaj, zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është çelësi për neutralizimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan.

Njëkohësisht, Serbia po e përdor konfliktin me Prishtinën dhe episodet aktuale të dhunës në veri të Kosovës, për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme siç janë demonstratat kundër dhunës dhe ato antiqeveritare, që vazhdojnë të mbledhin mijëra njerëz në qendër të Beogradit.

Standardet demokratike në Serbi, janë përkeqësuar ndjeshëm nën sundimin autoritar të Aleksandar Vucic. Media është thuajse tërësisht nën kontrollin e qeverisë, ndërsa gazetarët e pavarur përballen me dhunë dhe kërcënime. Edhe shoqëria civile vepron në një mjedis gjithnjë e më armiqësor.

Korrupsioni në nivelet më të lartë mbetet një problem i madh, teksa janë zbuluar lidhje midis zyrtarëve të partisë kryesore SNS dhe krimit të organizuar. Nxjerrja në pah e mosmarrëveshjes me Kosovën. e lejon Vucic të shmangë trajtimin e të gjitha këtyre mangësive të brendshme.

Për këto arsye, asociacioni është shndërruar në një mjet shantazhi në negociatat me BE-në. Vucic e justifikon mungesën e përkushtimit ndaj dialogut të sponsorizuar nga BE-ja, duke e fajësuar Kosovën për dështimin në ngritjen e asociacionit.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Kurti, fshihet pas argumentit se Gjykata Kushtetuese e e shpalli antikushtetues krijimin e një qeverisje lokale mono-etnike në veri. Por Kurti harron se i njëjti vendim ka miratuar krijimin e organit nëse ndryshohen më parë parimet jo-kushtetuese.

Normalizimi i marrëdhënieve, është një parakusht që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së. Prandaj, nevojitet vullnet politik nga të dyja palët për të gjetur një model të zbatueshëm për asociacionin.

Për të kapërcyer ngërçin aktual dhe për të arritur një kompromis, të dyja palët duhet të angazhohen për të krijuar një mjedis konstruktiv, dhe për të zbutur pozicionet e tyre.

Organizatat e shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, u kanë bërë së fundi thirrje liderëve të tyre politikë të përmbushin zotimet e marra për të sjellë paqe dhe përfitime të dukshme  për popullatën.

Ato theksojnë nevojën për të krijuar një mjedis konstruktiv, të bazuar në vullnetin e mirë dhe besimin, për të bërë të mundur arritjen e marrëveshjeve politike. A do t’i dëgjojnë këto zëra autoritetet në Beograd, Prishtinë dhe Bruksel?

Shënim:Berta López Domènech, asistente në programin e Politikave dhe Institucioneve Evropiane në Qendrën e Politikave Evropiane.

 

 


Shtuar 15.06.2023 09:21