Si mund të përfitoni bashkimin familjar në SHBA?
”Aplikova për bashkim familjar me gruan. Pas aprovimit të peticionit për vizë, pata dërguar të gjitha dokumentat e nevojshëm si dhe pagesat për vizën. Pas intervistës në ambasadën amerikane në Tiranë, bashkëshortes i thanë që peticioni për vizë i ishte revokuar dhe se çështja do t’i rikthehej Shteteve të Bashkuara. Asaj i dhanë dhe një letër që thoshte se viza i ishte refuzuar në bazë të seksionit 221(g) të INA-s.

Kemi pritur për një kohë të gjatë. Ime shoqe është shqetësuar shumë nga ideja që nuk do të mund të jetojmë asnjëherë bashkë në Amerikë. Nuk duam të divorcohemi dhe unë nuk dua të largohem nga SHBA-ja. Nuk arrij ta kuptoj se si mund të revokohet viza, pasi është aprovuar. A kemi ndonjë shpresë?O.P./ Greenwich, CT

Ka ende shpresë që ajo ta marrë vizën, por mund të jetë një proçes i gjatë. Është shumë e rëndësishme që t’i përgjigjeni çdo letre nga emigracioni brenda afateve të caktuara.

Aprovimi i një peticioni për vizë emigracioni mund të revokohet nga një zyrtar i Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë Amerikane (USCIS) i autorizuar për t’u marrë me aprovimin e këtyre peticioneve.

Arsyet e Revokimit të Vizës.

Kur Shërbimi i Emigracionit ka aprovuar më parë kërkesën për vizë emigracioni, Departamenti i Shtetit (DOS), mund t’u lëshojë përfituesit të peticionit për vizë si dhe anëtarëve të tjerë të kualifikueshëm viza pune ose viza bashkimi familjar. Personi që bën kërkesë mund të jetë një anëtar familjeje ose punëdhënësi apo përfaqësuesi i punëdhënësit. Përfituesi është emigrant anëtar familjeje ose i punësuar që dëshiron të vijë në Shtetet e Bashkuara pas aprovimit të peticionit në fjalë dhe lëshimit të vizës nga Departamenti i Shtetit. Më pas përfituesit i lëshohet edhe green card-a.

Llojet më të zakonshme të peticioneve për viza emigracioni janë formulary I-130 (formular për bashkim familjar) si dhe formulari Form I-140- për ata që vijnë me punësim. Shërbimi i Emigracionit ruan të drejtën të revokojë aprovimin e cilitdo prej këtyre formularëve duke njoftuar ose në rrethana të caktuara, automatikisht.

Nëqoftëse përfaqësuesi konsullor i Departamentit të Shtetit, zbulon gjatë intervistës për vizë që aplikimi në fjalë nuk duhej të ishte aprovuar, ose nuk është më i aprovueshëm, atëherë çështja i kalon sërish USCIS-it. Në këto raste, refuzimi shoqërohet me një memorandum në të cilin shpjegohen arsyet se përse viza duhet revokuar. Me t’u rikthyer, çështja si dhe përfundimet e nxjerra nga DOS-ja rishikohen nga një zyrtar i emigracionit dhe ky i fundit mund:

të konkludojë që kërkesa e aplikantit nuk është e revokueshme dhe ia kthen atë DOS-it me shpjegimin e vendimit për mosrevokim të vizës;

t’i lëshojë aplikantit një letër me qëllim revokimi, ose

t’i lëshojë aplikantit një njoftim revokimi automatik.

Revokimi

Në raste të veçanta, si p.sh., rast vdekje të aplikantit apo palës përfituese ose rast ndërprerje të proçesit në rast të mos dërgimit në kohë të aplikimit të peticionit për vizë emigracioni, një aplikim i aprovuar revokohet automatikisht. Nëse USCIS-i është i vetëdijshëm për këto rrethana, ai i dërgon njoftim revokimi automatik zyrës konsullore që ka juridiksion për aplikimin në fjalë si dhe palës që ka bërë kërkesë në adresën e fundit që ajo i ka paraqitur emigracionit.

Në raste të tjera aprovimi i kërkesës mund të revokohet duke i dërguar aplikantit një njoftim paralajmërues NOIR (Notice of Intent to Revoke). Në këtë njoftim shpjegohen arsyet përse kërkesa e tij e aprovuar tashmë, duhet të revokohet si dhe i jepet një periudhë kohe e arsyeshme për të paraqitur evidencë nga ana e tij, se përse nuk duhet revokuar. Aplikanti duhet të përgjigjet brenda kohës së caktuar. USCIS ka liri veprimi nëse t’i japë apo jo kohë shtesë aplikantit, në qoftëse kjo është e nevojshme për të marrë dokumenta nga jashtë vendit apo për arsye të tjera që meritojnë kohën shtesë. Aplikanti gjithsesi duhet t’i përgjigjet NOIR-it brenda afatit të caktuar si dhe të paraqesë arsyen se pse po kërkon kohë shtesë.

Vendimi për revokim

Nëqoftëse bazuar në provat e paraqitura, përfaqësuesi i USCIS-it vendos që aprovimi nuk duhet anulluar, aplikantit i vjen një letër ku njoftohet riafirmimi i miratimit të aplikimit për vizë. Aplikimi në këtë rast i niset Qëndrës Kombëtare të Vizave (NVC) për t’u dërguar prej andej në konsullatën përkatëse shoqëruar me letrën e riafirmimit të lëshuar nga USCIS-i, kopje të letrës me sugjerimin për revokim si dhe përgjigjen e aplikantit. NVC-ja ia kalon peticionin zyrës konsullore. Përfaqësuesi konsullor mund ta pranojë si të vlefshëm peticionin dhe të vendosë për dhënien e vizës, ose t’i paraqesë shërbimit të Emigracionit evidenca të reja të cilat nuk ishin më parë në konsideratë. Në këtë rast USCIS-i, vendos nëse këto prova mbështesin revokimin e aplikimit.

Nëqoftëse aplikanti nuk është në gjendje të hedhë poshtë arsyet bazë për revokim, ose nuk arrin të përgjigjet në kohë, atëhere i lëshohet vendimi për revokim në formularin I-292. Aplikanti mund të bëjë kërkesë për apelim të vendimit tamam sikur peticioni t’i ishte hedhur poshtë që në fillim.Të gjitha ankesat në bordin e Apelit (BIA), përfshirë këtu edhe ankesat për revokim duhen bërë brenda 30 ditëve, dhe ankesat kundër revokimit që i janë dorëzuar zyrës administrative të apelit (AAO) duhen përfunduar brenda 15 ditëve. Shumica e gjykatave kanë vendosur që vendimi përfundimtar i USCIS-it për revokimin e kërkesës për vizë, nuk është i rishikueshëm.

Çfarë duhet të presë personi që është në pritje për marrjen e vizës.

Kur zyrtari i konsullatës ia rikthen peticionin për vizë USCIS-it për rishqyrtim dhe revokim të mundshëm, ai ose ajo zakonisht e hedh poshtë aplikimin për vizë bazuar në seksionin 221(g) të INA-s. Diçka e tillë nënkupton një refuzim të përkohshëm të vizës së emigrantit në pritje të rishikimit nga USCIS-i. Zyrtari i konsullatës mund ta hedhë poshtë aplikimin për vizë dhe mbi ndonjë bazë tjetër, gjithnjë nëse e sheh të arsyeshme.

Nëqoftëse pas rishikimit, USCIS-i e riafirmon aprovimin e aplikimit, ai ia ridërgon atë DOS-it dhe nga ai moment përfaqësuesi i konsullatës ose e pranon peticionin si të vlefshëm ose i paraqet USCIS-it prova të reja që nuk ishin marrë më parë në konsideratë. Kur zyrtari konsullor i DOS-it e hedh poshtë aplikimin për vizë, ai ose ajo duhet t’i dërgojë përfituesit një letër ku listohen seksionet e ligjit në bazë të të cilave është hedhur poshtë kërkesa për vizë.

Lexuesi ynë duhet të veprojë menjëherë kur merr letra nga USCIS-i. Shpesh USCIS-it i duhet shumë kohë që të njoftojë aplikantin për arsyet e revokimit. Aplikanti duhet të sigurohet që Emigracioni ka adresën e tij më të re, dhe nëse ndërron adresë duhet ta njoftojë Emigracionin brenda 5 ditëve.
Shtuar më 10/08/2019, ora 18:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori