Si fitohet nje gjyq ne Gjykaten e Larte?
Albeu.com
Sekretarja e Gjykatës së Lartë te Shqiperise pohon para palës humbëse në një proces se kjo gjykatë është vendi i tmerrit, mafia e shtetit, vendi ku gjyqtarët firmosin dhe të heqin pronën pa e parë dosjen.Sekretarja e Gjykatës së Lartë pohon para palës humbëse në një proces se kjo gjykatë është vendi i tmerrit, mafia e shtetit, vendi ku gjyqtarët firmosin dhe të heqin pronën pa e parë dosjen. Ajo i tregon palës humbëse si funksionon mekanizmi i ndereve dhe korrupsionit, pikërisht në shkallën e tretë të gjyqësorit, në gjykatën që i vë vulën procesit gjyqësor.

Në një bisedë të zhvilluar mes sekretares së Gjykatës së Lartë, Alma Burgaj, dhe palës humbëse në një proces gjyqësor të zhvilluar në këtë gjykatë, vetë sekretarja pranon se vendimi përfundimtar gjyqësor, që i dha të drejtë palës kundërshtare të bashkëfolësve të saj, ishte një nder që një nga anëtarët e Kolegjit Civil, i cili gjykoi çështjen, i kishte ish-presidentit të Republikës, z. Rexhep Meidani. Sekretarja ngre dyshime në lidhje me kohën rekord, në të cilën është shqyrtuar ankesa e tyre në këtë gjykatë.

Pa dashur të qëndrojmë në krahun e askujt dhe as t‘i japim tapinë ndonjërit, "Fiks Fare" transmetoi dje një bisedë të regjistruar midis sekretares së Gjykatës së Lartë, znj. Alma Burgaj dhe njërës prej palëve të një procesi gjyqësor të shqyrtuar nga kjo gjykatë. Në këtë proces, që u zhvillua në kohë rekord, pala e tretë e kësaj çështjeje humbi pronën. Vetë sekretarja e gjykatës tregon se si ishte vepruar në këtë proces gjyqësor, ku as provat nuk ishin parë. Ajo tregon gjithashtu se gjatë bisedës që kishte zhvilluar me avokaten e palës kundërshtare të bashkëbiseduesve të saj, të cilën e përmend vetëm me emër (Flutura), i kishte treguar që kish marrë pjesë në gjyq sa për të qenë përfaqësuesja ligjore e palës fituese. Sipas saj, gjyqin e kishin të fituar, sepse një nga pronarët, që ishte shpallur i tillë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ishte kunat me ish-presidentin Meidani. Sipas sekretares, 4 anëtarët e tjerë të Kolegjit ishin shprehur pro, për shkak të nderit që duhet t‘i bënin kolegut të tyre, i cili i lante kështu një borxh të vjetër ish-presidentit.


Biseda

Sekretarja: Zhgënjim total. E di përse? Sepse ishit aq t‘sigurt sa mund t‘i gjeja dhe mënyra të tjera. Kupton, edhe Irma po të ishte e fuqishme, sado e fuqishme të ishte, janë dhe katër të tjerë. Që shiten kur të duash.

Qytetarja 2: Po ajo Flutra, çfarë tha ajo?

Sekretarja: Dje e takova, dje në mëngjes edhe tha: Alma i rregullojnë të gjitha punët vetë.

Qytetarja 2: Po si?

Sekretarja: Mua më paguan, më dhanë atë 500 eurosh, tha. Biles, më thanë: Do më shumë? Di që punët i kanë rregulluar vetë, që të gjitha, më tha.

Qytetarja 2: Po si?

Qytetari: Ishte si në spektakël, ata flinin gjumë.

Sekretarja: Kush?

Qytetari: Gjyqtarët. S‘na pyeti njeri, a ka njeri...

Sekretarja: Kush, Goni mo?

Qytetari: Që të gjithë. A ka njeri prokurë, i thashë. Dhe për avokatin, a ka ndonjë gjë ose kush është avokati me prokurë? Asgjë...

Qytetarja 2: Më gjyq...

Sekretarja: Nuk ka më tani, nuk para shohin prokura, sepse e dinë që e bëjnë prokurën direkt, marrin lekun e vet avokatët dhe e dinë që bëhet prokura. Nuk është shumë problem ajo.

Qytetarja 2: Përse? Çfarë dallavereje kanë bërë?

Sekretarja: Që ka pas dallavere aty, ka pas. Unë kam shumë për të të thënë, kam jashtë mase për të thënë, por ki parasysh që këtu është vendi i tmerrit. Por që, kërkoje në Kushtetuese.

Qytetarja 2: Po, në Kushtetuese... me atë spektaklin që pamë ne aty, ne ishim 100%...

Sekretarja: E çfarë pastaj?

Qytetari: Nuk e hedhim ne jo.

Qytetarja: Ne e kishim 100% që do ta merrnim.

Qytetarja 2: Po mirë mi, ju hidheni në Kushtetuese. Pse, çfarë? Po si do të bësh ti? Do ta humbësh pronën?

Sekretarja: Po si s‘e humb pronën?

Qytetarja 2: Po të gjitha ato dallavere që bënë ata, gjithë ato dallavere...

Sekretarja: E di përse them unë, Klodi? Ta them si vëlla. Në mes të atyre pronar është një kunat i Rexhep Meidanit. Gjeje ti se kush është dhe... Do fitoje ti me Thimjon me Rexhep Meidanin? Gjallë në botë. Unë nuk e mora vesh më para.

Qytetarja 2: Te pala jonë? Aty? Kunati i Rexhep Meidanit?

Sekretarja: Në atë pronë.

Qytetari: Patën thënë, kunat si i bie për motër apo për vëlla?

Sekretarja: Me të rrejt, kunati i Rexhep Meidanit dhe nuk ma tha një, por ma thanë dy veta. Ma tha Flutra shprehimisht.

Qytetarja 2: Si tha?

Sekretarja: Kishte kunatin e Rexhep Meidanit, tha.

Qytetari: Këta janë hajdutë more, ku duan të dinë ata. Këta janë hajdutë. Këta e marrin pronën, sikur e nxjerrin nga xhepi i vet.

Sekretarja: E di si e duan ato Klodo, e di si e duan ata? Të kesh t‘i thuash, t‘i diskreditosh. T‘i thuash: Ma jep një çik kasetën e hyrje-daljeve në gjykatë. Dy ditë para gjyqit tim, kush ka ardhur në zyrën tënde? Kështu e do.

Qytetarja 2: Kush i ka ardhur?

Sekretarja: I biri i Rexhepit.

Qytetarja 2: Që hyri atje ë?

Sekretarja: Me i gjet anën, me i marr (kasetat), ta diskreditosh. Aty filmohen domethënë, ose është libri që i regjistron. Nuk e di, këto e kanë regjistruar apo jo? Është një i gjatë, u përplas me mua. E di përse e lidh unë këtë? Se unë zbrisja me ashensor, ky hipte. E shoqëronin lart, tek ai, dhe kur ma thanë më mbrapa e lidha. Dy ditë përpara për këtë punë ka ardhur. Pastaj, Spartakua mori në mëngjes. Një ditë para gjyqit mori në mëngjes asistentja e vet e më tha: Më jep një çikë numrin e paradhomës së kryetarit... Na... Irma ishte bërë!

Qytetarja 2: Si ishte bërë?

Sekretarja: Kishte mbaruar fare. I hapin këto belatë e rishikimit, se njerëzit janë rehatuar tani dhe i hapën, tha. Se pse u hap ky muhabeti i rishikimit, nuk e di. Nejse mo, dhe tha... Në gjyq kishit pasur debat. Unë doja kastile... Po, tha, kishim shumë debat. U çua, kishte një kasetë, dhe tha: Do ju diskreditoj, do ju bëj kështu. Kishte kasetë, kishte materiale. Unë e dija përpara, tha, që kishte kasetë.

Qytetarja 2: Alma, tani ka ndonjë klauzolë që unë të vij...

Qytetari: Tani, ne kemi një provë tjetër.

Sekretarja: Bëj rishikim prapë.

Qytetarja 2: Mund ta bëj rishikim prapë, prandaj po them?

Sekretarja: Po mi, bëj rishikim prapë.

Qytetarja 2: Si mund ta bëj?

Sekretarja: E di, kur ta bësh rishikimin prapë ti? Presim dhe ca kohë, ose sille rishikimin ta regjistroj.

Qytetari: Them unë, me atë timen, që dhe ai e ka mbështetur.

Sekretarja: T… dhe mua nuk ma heq njeri nga mendja. Vetëm gjeje kush është kunati i Rexhep Meidanit aty në mes. Vëllai i gruas apo... nuk e di, domethënë, apo burri i motrës.

Qytetarja 2: Po të nesërmen kur fola unë?

Sekretarja: Uhhh, te gjykata gumëzhinte. Ngaqë nuk e duan, normale. Si nuk e nxori, si nuk e nxori kasetën aty. Mafia e shtetit, kjo është mafia e shtetit.

Qytetari: Nuk ka mundësi, ta them me sinqeritet.

Sekretarja: Ta jap unë me 100 firma, po qe ai në mes nuk e fiton, harroje. Ore ti më bën një nder mua, më ndërron jetën komplet, si unë mos t‘i bëj një nder kaq të vogël atij? Punë e madhe që u dogje ti. Unë nuk e kam problem se digjesh ti, ku të njoh unë ty.

Qytetari: Nuk ka mundësi, nuk ka mundësi.

Sekretarja: Puna përforcohet se ma thanë dy veta për të njëjtin njëri. Kupton? Dy veta ma thanë për të njëjtin njëri dhe unë e lidha me atë që erdhi.

Qytetarja 2: Po Flutra, që ishte avokatja e tyre, ajo çfarë...?

Sekretarja: Po Flutra ma tha për Rexhepin.

Qytetarja 2: Për Rexhepin?

Sekretarja: Ehë, i kanë rregulluar punët ato, tha se kanë Rexhepin. Në mes të këtyre është kunati i Rexhepit. Flutra ma tha vetë. Edhe për Spartakun, Flutra ma tha. Unë e kam aq shoqëri me Flutrën, sa të m‘i thotë këto gjëra.

Sekretarja: Edhe unë budallaçkë, tha, ta dija... Por e pashë që ishin si të humbur, se një t‘ia futur edhe unë, tha, 2000 euro ty, dhe i merrje. Por unë e mendova edhe me ç‘pashë... Si nuk e studiova dosjen fare? Fare nuk i hyra, çfarë i mora të fotokopjuara i morën ato. Ajo është dhe skrapallie, flet shumë. Unë do flas, tha, se do bind dhe klientët e mi... Ta dija, por unë e fjeta mendjen që nuk fitojnë dhe thashë: marr 500 euro boll i kam. I kishin thënë: Do më shumë? Jo, i kishte thënë kjo, se kaq e lamë, duke menduar se unë do dilja e humbur, tha. Kjo, pra, është rrjedha e këtyre, nuk shqitet asnjëherë, nuk shqitet.

Me thënë të drejtën, unë u tremba kur pashë Spartakun. T… me Spartakun bëhen copë dhe që në atë moment u tremba. Kur më tha dhe Flutra, që kanë Spartakun dhe do vijë asistentja vet...

Qytetarja 2: Këta çahen duke folur korrupsioni, korrupsioni...?

Sekretarja: Kush... korrupsioni? Ai që po bën kompleksin e vilave lart nga liqeni, kush? Apo që kanë shtëpi dhe jashtë shtetit... Janë bërë superbosa dhe kur vijnë si mender tavolinës, si qurrësa. Ne i kemi parë të gjithë si vijnë. (G. Shqip)
Shtuar më 16/10/2008, ora 02:17
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori