Si e pësoi killeri me pagesë i Camorra-s, ja“gafa” në qelitë e burgut
Mbyllja në qeli si i dyshuar kryesor për masakrën e majit 2015, përpara fakultetit të Shkencave të Natyrës, nuk e ka penguar italianin Salvatore Letizia të hapë një llogari të re me drejtësinë shqiptare.

Sikurse dhe shumë të dënuar të tjerë, i njohuri si kapo i një prej klaneve të Camorra-s, ka bërë çmos të sigurojë një telefon celular në qelinë e tij, çka i ka kushtuar jo pak, por një dënim prej 15 muajsh burgim.

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, sqarohet se celulari markës iPhone, model 5S, që i përkiste Letizias, u zbulua gjatë një kontrolli të ushtruar në qelinë e tij nga forcat operacionale. Italiani i paraburgosur e ka pranuar fajin dhe nga gjykimi i shkurtuar dënimi i është reduktuar në dhjetë muaj.

Aktualisht italiani i njohur me nofkën “Piccolo Letizia”, po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për akuzën e vrasjes së Mentor Doçit dhe Gerdi Goxhajt, ditën kur Tiranën e vizonte kryeministri serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas Prokurorisë, Letizia ishte punësuar nga Besnik Sulku për të ekzekutuar Mentor Doçin, të cilin e akuzonte si përgjegjës për vrasjen e të vëllait Durim Sulku në Holandë.

Sulku dhe Letizia i ngritën pritë Doçit pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës pasditen e 27 majit të dy viteve më parë. Në momentin që Doçi u ngjit në makinë bashke më mikun e tij, Gerd Goxhaj në drejtim të tyre u derdhën një breshëri plumbash. Goxhaj mbeti i vrarë në vend, ndërsa Doçi ndërroi jetë pak minuta më vonë.

Dy nipat e tij morën menjëherë hak për vrasjen e xhaxhait, raporton BW.

Markeljan Doçi dhe i vëllai Klejvi ndodheshin në një makinë tjetër, me të cilën lëviznin xhaxhain. Në moment, Markeljan Doçi shkëmbeu zjarr me Besnik Sulkun, derisa e la të vrarë, ndërsa priti policinë t’i vinte prangat.

Salvatore Letizia u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap pak orë më vonë në një hotel. Vëllezërit Doçi dhe italiani Letizia po gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për akuzat e vrasjes për gjakmarrje, vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje./Albeu.com/
Shtuar më 21/03/2017, ora 19:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori