Si e kujton Kadare takimin me Handke që mbështeti Millosheviçin
farë mund të nxisë një prej shkrimtarëve më me influencë në botë, që shtrin rrënjët e penës së tij krahas romaneve, në teatër e kinema, që në një moment të jetës të bëhet “mbrojtës i djallit”?!

Pas shpalljes së Peter Handke si fitues të “Nobelit të letërsisë për 2019-ën, diskutimet për arsyet që mund ta nxisnin një romancier të këtij kalibri, që ndërsa bëhen publike tmerret e Sebrenicës, të pohojë “thellësisht i bindur”, se Slobodan Millosheviç është i pafajshëm, janë nga më të ndryshmet.

Disa media ndërkombëtare publikojnë biografinë e tij, disi të trazuar, në përpjekje të zbulimi të ndonjë “çrregullimi” fëminor, duke qenë se ende sot mban mbiemrin e njerkut, të tjerat “e kryqëzojnë si antihuman” (kësaj i shtohet edhe akuza e ish-gruas për dhunë) e mandej supozimi i tretë qëndron tek etja për famë.

Vetë shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, po ashtu kandidat për “Nobelin” e letërsisë edhe këtë vit, 20 vite më parë në ditarin e tij për Kosovën “Ra ky mort e u pamë” do të ndante përshtypjet e tij për kolegun, pa anashkaluar qëndrimin që ai mban.

Kadaresë, gjatë takimit me austriakun, i bën përshtypje një fraze e tij, ku Handke shprehet me keqardhje për famën në zbehje, apo një famë të tjetërsoj që ai mbolli. “Nuk jam më i njohur si më parë”, i pat pohuar Nobelisti dhe Kadare natyrshëm ngre pyetjen: “A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”.

ISMAIL KADARE (“Ra ky mort e u pamë”, 20 prill, 1999) Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister. Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon.

Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim. E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë.

Gruaja e tij franceze është e admirueshme. Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë. Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet. Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”. A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo
Shtuar më 13/10/2019, ora 14:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori