Si e hodhën në erë fierakun: Kryen një telefonatë dhe makina shpërtheu
Pëlqej
Sasia e lëndës eksplozive që shpërtheu në makinën e 38 vjeçarit Ervin Memo nga Fieri mbrëmjen e 21 prillit të këtij viti, teksa ai vetë ndodhej brenda në automjet, dyshohet se ka qenë e vendosur në kroskotin e makinës, në anën e djathtë të tij.

Ekspertët kriminalistikë, pas ekspertimit të imtësishëm që i është kryer automjetit tip Benz me targa AA 270 IV të shkatërruar thuajse krejtësisht si pasojë e shpërthimit, kanë konkluduar se lënda plasëse gjendej në kroskot, nga ana e pasagjerit dhe se është aktivizuar me anë të një thirrje telefonike. Policia po punon për verifikimin e numrit celular prej nga është kryer thirrja që ka aktivizuar eksplozivin.

Sipas të dhënave, ka qenë pikërisht vendndodhja e lëndës plasëse që ka sjellë si pasojë shkatërrimin e plotë të makinës nga njëra anë dhe shpëtimin e jetës së 38 vjeçarit Ervin Memo, i cili doli me këmbët e tij nga autovetura që u dogj e gjitha në flakë, shkruan BW.

Mësohet se ekspertët kanë konkluduar që presioni i krijuar nga shpërthimi i eksplozivit të jetë përqendruar në drejtim të ndenjëses së pasagjerit.

Ndërsa 38-vjeçari Evrin Memo gjendej në ndenjësen e drejtuesit të mjetit duke marrë kështu goditje që i sollën vetëm dëmtime në lëkurë por pa pasoja të rënda për jetën.

Si ndodhi ngjarja:

Mbrëmjen e 21 prillit të këtij viti, rreth orës 22:45, një shpërthim i fortë i ndodhur në lajen “29 Nëntori” në qytetin e Fierit, pranë vendit të quajtur kryqëzimi i Grecallisë tronditi banorët e zonës.

Pikërisht në momentin kur 38-vjeçari Ervin Memo kishte hipur në makinën e tij tip Benz me targa AA 270 IV, një shpërthim i fortë ka shpërthyer makinën.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur qytetarë të shumtë, forcat e policisë, zjarrfikëset dhe autoambulanca që u bënë dëshmitarë të shpëtimit mrekullisht të Memos, i cili arriti të dalë nga makina dhe me këmbët e tij kaloi anën tjetër të rrugës.

Edhe pse po hetohet ne disa pista, ende nuk është konkluduar se si është arritur te vendoset lënda plasëse brenda makinës dhe nga kush.

Vetë 38 vjeçari Ervin Memo ka deklaruar atëherë para hetuesve se nuk ka asnjë lloj konflikti tjetër veç konflikteve për pronat. Familja e 38-vjecarit ka trashëguar troje në qytetin e Fierit, pranë unazës së re, ku është ndërtuar edhe një pallat që është në proces legalizimi. /albeu.com/
Shtuar më 19/08/2018, ora 12:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori