Rusia paralajmëron për zgjerim bërthamor në Baltik nëse NATO shtrihet më tej

Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus, tha të enjten se do të ishte e pamundur që rajoni i Balltikut të mbetet “jobërthamor” nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës së NATO-s.

“Nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s, gjatësia e kufijve tokësorë të aleancës me Rusinë mëse do të dyfishohet”, shkroi Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, në kanalin e tij personal në aplikacionin e mesazheve Telegram. “Natyrisht, këta kufij do të duhet të forcohen”.

“Nëse kjo bëhet, nuk do të jetë i mundur asnjë status jo-bërthamor i Balltikut”, tha Medvedev. “Duhet të rivendoset ekuilibri.” Populli i Suedisë dhe Finlandës, shtoi ai, do të përfundonin me anije ruse të armatosura bërthamore “ngjitur” me shtëpitë e tyre.

Komentet e tij janë disa nga më të ashprat deri tani që ka bërë një figurë e shquar ruse në lidhje me reagimin e mundshëm të Kremlinit ndaj një aplikimi të NATO-s nga dy vendet nordike.

Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin tha të mërkurën se vendi do të vendosë brenda “javëve” nëse do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n. Suedia gjithashtu i është afruar më shumë kërkimit të anëtarësimit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Medvedev tha se forcat e mbrojtjes tokësore dhe ajrore do të duhet të “përforcohen seriozisht” dhe “forca të konsiderueshme detare” do të duhet të vendosen në Gjirin e Finlandës nëse të dy vendet bashkohen me NATO-n.

Ai tha se opinioni publik për këtë çështje ishte i ndarë në vendet nordike dhe se “asnjë person i arsyeshëm” nuk do të dëshironte pasojat e kësaj lëvizjeje – “rritje të tensioneve përgjatë kufijve, raketa Iskander, armë hipersonike dhe anije të armatosura bërthamore gati ngjitur me shtëpitë e tyre”.

Deklarata e Medvedev sugjeron fuqishëm se Moska do të zyrtarizojë vendosjen e raketave lundruese të pajisura me armë bërthamore Iskander në enklavën e saj Baltike të Kaliningradit, thanë dy zyrtarë të lartë nga shtetet e NATO-s, duke i dhënë Rusisë potencialin për të goditur një numër kryeqytetesh të BE-së, duke përfshirë Berlinin dhe Varshavën.

“Përfundimi është se ata nuk kanë nevojë për justifikime për militarizimin ashtu siç nuk u duheshin për sulmin [në Ukrainë]”, tha një nga zyrtarët. “Ata mund të bëjnë disa nga gjërat që premtojnë, por nuk duhet të merren seriozisht argumentet se pse e bëjnë këtë.”

NATO ka kohë që shqetësohet për aftësinë e armatimit të Iskanderëve të Rusisë të vendosur në Kaliningrad që nga viti 2016. Raketat mund të mbajnë koka luftarake konvencionale ose bërthamore, por Moska nuk ka konfirmuar kurrë nëse ato në enklavë kanë aftësi bërthamore.

Kaliningrad, i vendosur midis Lituanisë dhe Polonisë, është gjithashtu selia e Flotës Balltike të Rusisë, që ka pothuajse 80 anije luftarake dhe nëndetëse të mbështetur nga avionë luftarakë, bombardues dhe trupa tokësore.

“Që Rusia kërcënon, nuk është asgjë e re”, tha të enjten kryeministrja e Lituanisë Ingrida Simonyte, sipas transmetuesit kombëtar LRT.

Rritet shqetësimi baltik për raketat ruse në Kaliningrad

Ministri i Jashtëm i Finlandës Pekka Haavisto tha të mërkurën se retorika e shtuar e Rusisë rreth përdorimit të armëve bërthamore ishte një nga tre arsyet kryesore që Helsinki kishte vendosur të rivlerësonte politikat e tij të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Rusia është e gatshme të marrë rreziqe më të larta se sa ishte më parë”, u tha ai gazetarëve. “Ky është një skenar i frikshëm.”

Mundësia që Ukraina mund të bashkohej me NATO-n ishte një nga arsyet që Presidenti Vladimir Putin dha për pushtimin e tij të vendit më 24 shkurt.

Por, në vend që të ndalojë zgjerimin e NATO-s, sulmi rus duket se po çon në rritjen e saj të mëtejshme. Zyrtarët e NATO-s kanë sinjalizuar se Finlanda dhe Suedia fqinje do të mirëpriteshin në aleancën prej 30 anëtarësh të udhëhequr nga SHBA nëse aplikonin./ Financial Times-Monitor