Si 100 vjet më parë, edhe sot Austria mbështetëse e fortë e shqiptarëve
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli në takimin me zëvendëspresidentin e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, deputetin e parlamentit austriak Volfgang Grosruk, u shpreh të enjten se Austria mbetet një mbështetëse e fortë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

Grosruk ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, veçanërisht në ekspozimin pas katër shekujsh në Shqipëri, të shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut mbërritur nga Muzeu Historik i Artit në Vjenë. Ai tha se, ashtu siç e deklaroi Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer gjatë takimit me kryeparlamentaren shqiptare Jozefina Topalli, tashmë shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut ndodhen në Tiranë si simbol i miqësisë së fortë mes dy vendeve tona.

Groskruk tha se në çdo hap historik, në çdo aspiratë të saj, Austria ka qenë dhe do të jetë krah shqiptarëve. Si zëvendëspresidenti i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, zoti Grosruk përgëzoi për organizimin e Asamblesë Parlamentare në Shqipëri.

“Ishte një organizim i shkëlqyer, tha ai, dhe të gjithë kanë mbetur të impresionuar nga niveli i lartë, kujdesi në çdo detaj dhe sigurisht të impresionuar nga Shqipëria.”

Për Kryetaren e Kuvendit jo vetëm organizmi për herë të parë i një Asambleje të tillë në Shqipëri, por edhe ardhja e rreth 200 parlamentarëve ishte diçka e jashtëzakonshme dhe një mundësi e madhe për të parë nga afër ndryshimet pozitive dhe transformimet e mëdha. /albeu.com/

Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Grosruk, i cili është edhe Kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Austri, theksuan rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, si themelor në marrëdhëniet mes dy vendeve. /albeu.com/
Shtuar më 22/11/2012, ora 17:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori