"Shuplaka" e parë, Topi i kthen ligjin Berishës
Albeu.com
Pa mbushur ende një vit nga marrja e postit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi hedh firmën e parë kundër një projektligji të propozuar nga Partia Demokratike. Një ditë më parë, kreu i shtetit i ka thënë "JO" dhe ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për legalizimet, duke mos e dekretuar hyrjen e tij në fuqi. Gjithçka ka ardhur pas mosmarrëveshjeve edhe publike mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit Berisha. Propozimi për këtë ligj është bërë nga partia që Presidenti i Republikës ka qenë anëtar dhe drejtues i lartë deri në korrik të vitit 2007. Ligji në thelb përmban marrjen e kompetencave nga pushteti vendor dhe kalimin e tyre agjencisë së ALUIZN-it që drejtohet nga Shaban Memia dhe është nën varësinë e Kryeministrit. Në seancën parlamentare të 10 prillit, Kuvendi në mes të debateve të shumta miratoi vetëm me 52 vota pro ndryshimet në këtë ligj. Mosdekretimi i këtij ligji është kundërpërgjigjja e parë e Presidentit Topi ndaj Kryeministrit Berisha, i cili pak ditë më parë miratoi së bashku me opozitën ndryshimet e Kushtetutës, për të cilat kreu i shtetit u shpreh publikisht kundër tyre. Konkretisht Topi ishte kundër ndryshimit që iu bë nenit 87 të Kushtetutës, ku tashmë Presidenti i Republikës zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash në Kuvend. Vlen për të theksuar se Presidenti Bamir Topi edhe në kohën kur ishte deputet i PD-së, por edhe tani që është në krye të shtetit shqiptar, ka kërkuar dhe insistuar që qeveria t‘i japë zgjidhjen e duhur çështjes së pronave, duke mbështetur pronarët e ligjshëm, duke i dhënë fund kështu odisesë 17-vjeçare të tyre. Por zëri i kreut të shtetit deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër, të cilën Presidenti Topi nuk ka dashur ta pranojë, ndaj ai dje ka marrë vendimin përfundimtar, duke mos e dekretuar ligjin e miratuar nga Kuvendi për legalizimet. Por pavarësisht dekretit kundër të Presidentit të Republikës, forca e tij merr fund këtu, pasi ky ligj rikthehet në Parlament për votim dhe nëse merr sërish shumicën e thjeshtë, atëherë ai hyn në fuqi pa nevojë për t‘u dekretuar. Në nenin 85 të Kushtetutës thuhet se Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë dhe dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Sipas procedurave normale, ky ligj pritet të rikthehet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe në komisionet e tjera për rishqyrtim, për t‘u paraqitur më pas për votim në sallën e Kuvendit. Por a do të kalojë ky ligj tashmë kur edhe republikanët janë shprehur kundër tij dhe kombinimi i numrave në Parlament është mjaft i brishtë, kjo mbetet për t‘u parë në seancën parlamentare. Më 10 prill salla e Kuvendit është përfshirë në debate të shumta, opozita e ka kundërshtuar këtë draft të përgatitur nga qeveria, duke argumentuar qëndrimin e saj kundër, duke theksuar se ndryshimi shton abuzimet me pronat. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, është shprehur se ky ligj bie ndesh me programin e qeverisë të paraqitur në 2005. Sipas tij, procesi i ndarjes së titujve të pronësisë dhe legalizimeve duhet të kishte përfunduar që në 2006. Duke iu drejtuar mazhorancës, Braçe është shprehur se problemi nuk qëndron tek administrata që nuk respekton ligjin, por te drejtuesit e lartë të shtetit, që nuk janë të interesuar ta realizojnë këtë proces. "PD po e zvarrit vetë këtë çështje se do të ndikojë te vota e shqiptarëve". Ky pretendim i Braçes i ngritur në seancën e 10 prillit është kundërshtuar nga mazhoranca dhe konkretisht nga ministri i Transporteve, Olldashi, i cili gjatë fjalës së tij ka theksuar se ligji synon shpejtimin e procesit, pasi deri më tani është mbajtur peng nga kryetarët e bashkive, pjesa më e mëdha e të cilave drejtohen nga zyrtarë të opozitës. Kundër këtij projektligji nuk ishte vetëm opozita. Zërit të saj i është bashkuar edhe grupi parlamentar i PR-së dhe deputeti Spartak Ngjela.


Rikthimet, "tradita" e ish-presidentit




Rikthimi i ligjeve si kompetencë e Presidentit është përdorur në disa raste nga ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu. Në më shumë se një herë ish-presidenti nuk ka dekretuar vendimet apo ligjet e Kuvendit, duke i rikthyer për shqyrtim. Më i bujshmi ishte kundërshtimi i shkarkimit të ish-kryeprokurorit të Republikës, Theodhori Sollaku. Moisiu, duke shpjeguar vendimet e tij, ka bërë të ditur se qëndrimi nuk ka qenë një qëllim në vetvete, por si një reagim normal pas konsultimeve me specialistë të legjislacionit, por edhe me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile. Megjithatë, kjo situatë krijoi një përplasje permanente të mazhorancës me ish-kreun e shtetit, e cila në shumë raste i kalonte thuajse fare pa ndryshim këto dekrete, duke mos reflektuar. Në fakt, zoti Moisiu, këtë kompetencë e ka përdorur jo vetëm me mazhorancën që drejtohet nga Partia Demokratike, por edhe përpara 3 korrikut të 2005-ës, kur qeverisnin socialistët. (shqip)
Shtuar më 02/05/2008, ora 02:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori