Shumica rrëzon kërkesën e PD për mandatin e Leskajt
Shumica në Këshillin për Rregulloren për Mandatet dhe Imunitetin, ka votuar kundër ndërprerjes së mandatit të deputetes socialiste Valentina Leskaj. Ky votim vjen pas kërkesës së PD, pasi ka akuzuar djemtë e saj se po zhvasin para nga pasuritë publike.

Arben Ristani argumentoi pretendimin e opozitës në mbledhjen e Këshillit të Mandateve në Kuvend. Ai përmendi dy raste që lidhen me dy djemtë e deputetes Leskaj, që sipas opozitës, kanë përfituar para nga fondet publike.

“Njëri nga djemtë e deputetes Leskaj, ka marrë nga pasuria publike me koncesion një segment të hekurudhës shqiptare. Fenomeni është bërë publik, ndërsa djali tjetër ka dy kontrata, një më 24 nëntor 2014 me Ministrinë e Bujqësisë, ku ka marrë 45 mln lekë tenderim përmes firmës Abcons, ndërsa në rastin e dytë përmes firmës “Matrix Contructions” ka marrë 1 mln euro kontrata të lidhura me institucione shtetërore dhe para publike”, tha Ristani.

“Sipas Kushtetutës, nenit 70 të saj, deputetët nuk mund të ushtrojnë asnjë detyrë tjetër shtetërore dhe raste të tjera të papajtueshmërisë trajtohen sipas ligjit. Mandati i deputetit mbaron kur janë kushtet e papajtueshmërisë të përcaktuara në ligjin përkatës. Dhe në këtë rast, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në nenin 21 thotë: asnjë individ kur njësohet me një zyrtar, nuk mund të lidhë kontratë apo nënkontratë me asnjë institucion publik. Pra, ligji i konfliktit të interesit ndalon lidhjen e kontratave publike nga djemtë madhorë të zyrtarit, në rastin konkret të deputetes. Mendojmë që janë kushtet për mbarimin e mandatit të deputetes Valentina Leskaj, sepse janë lidhur kontrata ku janë shfrytëzuar paratë publike”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike.

Sakaq, avokati i deputetes Leskaj tha se kërkesa e opozitës nuk qëndron dhe se nuk bëhet fjalë për një shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë. /albeu.com/
Shtuar më 21/11/2015, ora 12:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori