Shuhet Fadil Hasa, miqtë e kujtojnë mes dhimbjes dhe lotëve: Ai më ka rritur (VIDEO)
Pëlqej
"Do e takoja sot në 11 të paraditës për të bërë humor e për të folur ashtu siç bëjmë ne, por Fadili na la."

Mes lotësh, Muharrem Hoxha dha lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Fadil Hasës, “gjigandit” të humorit shqiptar.

Muharrem Hoxha i është përjetësisht mirënjohës mësuesit të tij, i cili e mori për dore dekada më parë dhe së bashku bënë rrugëtimin e bukur në estradën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Sot, Muharrem Hoxha u dha lajmin edhe kolegëve të tij, se një artist i madh u shua nga jeta, duke iu lënë të gjallëve jo vetëm rolet e paharrueshme, por edhe figurën e një prindi shembullor, i cili u bë nënë e babë për të dy vajzat e tij.

Mëngjesin e sotëm një telefonatë nga vajza e Fadil Hasës në telefonin e Muharrem Hoxhës, shokut të ngushtë, njeriut më të afërt të aktorit, dha lajmin e hidhur. Mes lotësh, vajza e aktorit i tha se babai i saj nuk mundi t'ia dilte.

Ai që dikur i bënte të gjithë të qeshnin, sot i ka lënë të mekur mes lotëve.

“Ai ishte babai im që më mësoi skenën. Sot në 11 e kishim lënë të takoheshim. Do shkoja në shtëpinë e tij. Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta. 30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave. Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, tha mes lotësh artisti i merituar Muharrem Hoxha.

Edhe aktori tjetër i estradës Roland Koça tha se Fadil Hasa ishte babai i humorit. “Humbëm babain e humorin, gjigandin e humorit. Ai që na bënte shumë për të qeshur, sot na ka mbytur në lot”, u shpreh Koça.

Po ashtu kolegia e tij, artistja e merituar Aishe Stari tha se kjo është një humbje jo vetëm për estradën por për gjithë Shqipërinë.

“Kam humbur jo vetëm kolegun por një njeri shumë të shtrenjtë, të cilin e kam pasur shok klase që në gjimnaz dhe madje për dekada me radhë kemi ndarë së bashku skenën e estradës, të teatrit. Kjo nuk është një humbje vetëm për teatrin e Durrësit por Shqipëria humbi një aktor të madh”, tha Aishe Stari.
Fadil Hasa iu bashkua skenës së teatrit profesionist në vitin 1974 duke shënuar me dhjetëra e qindra role të pashlyeshme në memorien e gjithë shqiptarëve, duke u bërë një nga aktorët më të dashur të publikut.

Me vdekjen e bashkëshortes së tij, në moshë të re, Fadil Hasa u tërhoq disi nga humori, megjithatë rolet e tij nuk harrohen duke u kujtuar brez pas brezi. /durreslajm/
Shtuar më 16/07/2018, ora 12:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori