Shtyhet vendimi për Donika Prelën, çpo ndodh?
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot se ka shtyrë shpalljen e vendimit për Donika Prelën, drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Vendimi që ishte parashikuar të jepej sot, do të shpallet më 5 shkurt. Argumenti i shtyrjes së vendimit: "Për shkaqe të arsyeshme".

Gjatës seancës së verifikimit që u zhvillua më 22 janar, nga trupa e drejtuar nga Roland Ilia, relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Olsi Komici, prokurorja Donika Prela u detyrua të sqaronte të ardhurat e bashkëshortit të saj dhe pasuritë e paluajtshme vënë nga të dy. Bashkëshorti i saj rezultonte se kishte punuar si inxhinjer ndërtimi "në të zezë" me pagë mujore 50 mijë lekë dhe për këtë shkak kishte hedhur në gjyq kompaninë ku kishte punuar, por çuditërisht, shtatë vjet më pas, pak para se e shoqja t'i nënshtrohej Vetingut.

Pyetje të sikletshme Prelës iu bënë nga vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs, i cili tha se i linte shije të keqe, fakti se kompania ku punonte bashkëshorti i Prelës nuk kishte paguar tatimet dhe dukej sikur kishte pasur një marrëveshje midis tyre për t’ia hedhur sistemit.

Nga ana tjetër, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit verifikoi se Prela kishte blerë dy apartamente nën çmimin e tregut dhe një sipërfaqe toke 1 mijë metrash katrorë në Petrelë të Tiranës, me çmime favorizuese. Por, Prela arsyetoi se apartamentet ishin blerë në kompaninë ku i shoqi punonte si inxhinjer, ndërsa toka ishte blerë në çmimin referencë të caktuar nga Qeveria.

Ndaj Prelës, ngriti dyshime të forta së fundmi, sërish, Partia Demokratike, e cila jo më larg se dje solli në vëmendje të KPK-së, dy fakte të tjera, për të cilat kërkoi të verifikoheshin:

E para, të kontrolloheshin kamerat e sigurisë nëse kishte pasur një takim të Prelës muajt e fundit, me anëtaren e komisionit të Vetingut, Valbona Sanxhaktarin dhe së dyti, a ishte e përfshirë Donika Prela në dosjen e përgjimeve të bandës së Avdylajve.

Duket se shumë pikëpyetje të ngritura mbi figurën e zonjës Prela e kanë nxitur KPK-në të shtyjë edhe një javë, shpalljen e vendimit për drejtuesen e Krimeve të Rënda me argumentin “për shkaqe të arsyeshme”.
Shtuar më 29/01/2019, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori