Shtyhet gjyqi për djalin e Hysni Milloshit për vrasjen e Çiços
Sot pritej të mbahej gjyqi për Renato Milloshin, djali i të ndjerit Hysni Milloshi, i cili akuzohet për moskallëzim krimi për vrasjen e Elton Çiçës, por kjo seancë është shtyrë.

Mësohet se shkak për shtyrjen e gjyqit është bërë mungesa e Jani Aliajt, me pretendimin se nuk kishte marrë njoftim për seancën.

Ngjarja

Çiço u ekzekutua më 1 maj të vitit të kaluar brenda Bar “De Niros” vetëm pak minuta pasi ishte ulur në një tavolinë me dy miqtë e tij, njëri oficer policie, tjetri mjek, dhe në praninë e një gazetari të kronikës.

Sikundër u konstatua edhe nga pamjet filmike të kamerës së sigurisë brenda lokalit që u publikuan pak pas ngjarjes, atentatori trup mesatar ishte i mirinformuar për objektivin, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi.

Vetëm 26 ditë më vonë Policia e Shtetit në një dalje publike bëri të ditur emrat e personave të dyshuar si ekzekutues të Çiços. Ndërsa Renato Milloshi u dorëzua më 28 shkurt të këtij viti. /albeu.com/

Shtuar më 30/05/2017, ora 10:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori