Shtyhet gjykimi ndaj Albin Kurtit
Albeu.com
Gjykimi i aktivistit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, i cili pritej të niste sot, në orën 10 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është shtyrë për datën 22 shkurt 2010. Këtë e konfirmoi përmes një njoftimi për shtyp, zyra për informim e misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit.
"Arsyeja e shtyrjes ishte që të pandehurit t'i jepet një kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij, në përputhje me dispozitat relevante të kodit të procedurës penale. I pandehuri Kurti ishte ftuar në gjykatë më datën 9 shkurt 2010", thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Kurti akuzohet për organizimin e një turme që "ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007".
Gjatë kësaj proteste, dy nga protestuesit, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, u vranë .
Shtuar më 15/02/2010, ora 17:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori