Shtremberohen faktet nga gjejtet ne Kalane e Shkupit
Albeu.com
Pala shqiptare ka alarmuar se faktet për gjetjet arkeologjike në Kalanë e Shkupit po shtrembërohen. Kjo, sipas tyre, me qëllimin për të zhbërë kulturën ilire. Arkeologët shqiptarë theksojnë se gërmimet e bëra para dy vjetësh janë lënë anash.
Përderisa njëjtë po veprohet edhe në gërmimet që kanë rinisur. Madje kësaj radhe, sipas tyre, ato po bëhen në fshehtësi.
Skënder Asani nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë, thotë se autoritetet maqedonase këtyre gërmimeve i kanë dhënë konotacion politik. Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman, nuk ka dashur që të prononcohet lidhur me këtë çështje.
“Këto gërmime që u bënë në Kalanë e Shkupit nuk kanë përcjellje normale pasi që ky gërmim ka marrë konotacion politik dhe ka për qëllim zhbërjen e kulturës së lashtë ilire, duke i dhënë mesjetës kahe sllave”, ka thënë Asani. Sipas tij, ka dëshmi se gërmimet arkeologjike janë bërë në mënyrë të padrejtë. Përdorimi i buldozerëve në gërmime, sipas tij, është vetëm një fakt që e dëshmon këtë. Gjithashtu sipas Asanit, ato nuk janë bërë nga shkencëtarët, por nga një ekonomist, siç është kryeministri Nikola Gruevski. Gërmimet e radhës vazhduan edhe këtë vit, por për dallim nga ato të para dy vjetëve, këto të fundit janë zhvilluar në heshtje dhe për disa ditë me buldozer është gërmuar pjesa verilindore - ku më parë janë gjetur shtresa të neolitit, bronzit të vonshëm, kur ishte edhe formimi kulturës ilire.
“Për fat të keq, edhe kësaj radhe nuk kemi pjesëmarrës shqiptarë dhe gërmimet zhvillohen në mënyre etnocentrike dhe dihet se çka do të arrihet në fund”, është ankuar Asani.
Sipas Ismail Krifcës nga lëvizja “Zgjohu”, këto janë gërmimet e treta me radhë që bëhen dhe përveçse nga mediumet “ne nuk jemi të informuar për asgjë se çka është gjetur dhe çka do të gjendet”.
“Kam informata se në këto gërmime tani nuk ka asnjë arkeolog shqiptar. Pra, më shqetësuese është fakti se këto gërmime po bëhen me buldozer dhe duke marrë parasysh se gërmimet duhet të bëhen në mënyrë shumë precize, ku kërkohet vëmendje. Në këtë mënyrë me buldozer ata mbledhin gjithçka dhe shumë gjëra fshehin. Pasko Kuzman e ka treguar veten se çdo gjë që nuk i takon Maqedonisë do t’i fshehë në favor të tij”, ka thënë Krifca.
Madje Asani, nga Shoqata e Historianëve, iu drejtua me apel subjekteve politike shqiptare që të bëjnë presione me qëllim që të ruhet kultura ilire.
”Apeloj te të gjithë shqiptarët dhe subjektin politik shqiptar që të bëjnë presion që në këto ekspedita të hyjnë edhe shkolla të tjera që janë njohës të kulturës së lashtë ilire, sepse ne do të jemi bashkëfajtorë për zhbërjen e etnokulturës ilire“, ka thënë Asani.
Shtuar më 06/05/2010, ora 11:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori