Shtohen 36 barna në listën e të rimbursueshmeve
Pëlqej
Pas dy viteve përdorim të së njëjtës listë për barnat e rimbursueshme, pritet që të hyjë në fuqi lista e re për vitin 2018. Hartimi dhe përpilimi i listës këtë vit duket sikur është mbajtur sekret dhe është përpiluar vetëm nga një grup njerëzish.

Lista e re e barnave të rimbursueshme për 2018 mori ”bekimin” e qeverisë edhe pse deri në momentet që flasim nuk është bërë asgjë transparente sa i përket kostove të kësaj liste.

Pas një periudhe të gjatë pritjeje, me këtë listë, vjen edhe lajmi i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat të cilat vuajnë nga kanceri i gjirit. Herceptina, një prej medikamenteve kryesore për të kryer kimioterapinë do të gjendet në të gjitha spitalet në vend.

Deri në ditët që flasim ka patur një mungesë të madhe të këtij medikamenti, të cilin pacientët kanë qenë të detyruar ta blejnë në tregun e zi me vlera financiare që i kalojnë 100 mijë lekë.

Kështu, gratë me kancer gjiri që trajtohen me herceptinë, do të mund ta marrin atë me shiringë edhe në spitale të tjera të vendit, pa qenë e nevojshme t’i drejtohen QSUT-së, e të presin në radhët e gjata, shkruan scan.tv.

Kjo formë doze e herceptinës shkurton edhe kohën e trajtimit për pacientët. Nga 4 orë që duhej të qëndronte pacienti në spital, me dozën që do të jepet me shiringë do të duhen 20-30 minuta.

Shtohen 36 barna, por cilat?

Sipas të dhënave nga vetë institucionet zyrtare, lista e re e barnave të rimbursueshme për 2018-ën është shtuar me 36 barna të reja. Por, në fakt vetëm 16 prej tyre janë barna me princip aktiv, ndërsa 20 të tjerat janë alternativa.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, lista është shtuar me preparate që trajtojnë diagnoza të vështira e për të cilat ka nevojë rimbursimi. Edhe pse nga institucionet përkatëse nuk jepen emrat konkretë të medikamenteve, është bërë e mundur që të zbulohen diagnozat që do të trajtohen prej tyre.

Kështu, përveç herceptinës që trajton kancerin e avancuar dhe metastatik të gjirit, janë shtuar medikamente edhe për diagnoza të tjera. Sëmundjet që do të trajtohen me medikamente të reja, që janë për herë të parë në listë, kanë të bëjnë me sëmundjet kardiovaskulare, që janë dhe sëmundjet që shënojnë dhe numrin më të lartë të vdekjeve në vendin tonë.

Medikamente të reja do të kemi për trombozën dhe embolinë pulmonare, parkinsonin, hepatitin C, neoplazitë myoloproliferative, leukemia myeloide kronike, insuficencë të jodit, demencë/alzheimer.

Ndërkohë, do të ketë edhe medikamente alternativa të reja për sëmundje si ekzema, dermatite, arthrit rheumatoid, insuficencë kardiake kronike, skizofreni, çrregullime psikike, diabet e të tjera.

Përveç ndihmës që do të ofrojë kjo listë për të sëmurët kronikë dhe jo vetëm, ka edhe dritëhijet në hartimin e saj. Kostot janë një nga dritëhijet e listës së rimbursueshme për 2018, ato nuk janë bërë ende transparente.

Referuar kostove vlen të sjellim në vëmendje faktin se për dy vite me radhë është përdorur lista e barnave të vitit 2016, duke bërë që buxheti i shtetit të pësojë dëme të konsiderueshme. Dëmet kanë ardhur si rezultat i ndryshimit të çmimeve për medikamente të caktuara e në të njëjtën kohë si rezultat i zhvlerësimit të euros ndaj lekut. /albeu.com/
Shtuar më 20/05/2018, ora 15:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori