Shtimi i ndjeshëm i rasteve, Rama tregon a do të mbyllen shkollat
Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat në krah të ministres së Arsimit Kushi, foli mbi situatën e Covid-19 dhe rolin e shkollave, duke u shprehur se vendimmarrja për mbylljen e tyre u takon autoriteteve.




Kreu i qeverisë duke cituar ekspertët tha se shkollat nuk konsiderohen vatër e nxehtë e përhapjes së pandemisë, duke theksuar se duhet ruajtur ekuilibri mes mbrotjtjes së drejtpërdrejtë dhe mbrojtjes psikologjike.

“Dua ta theksoj edhe njëherë se: ça hapet edhe se ça mbyllet kjo është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën dhe detyrimin ligjor që të marrin vendime në këtë kohë kaq të vështirë. Dëshiroj t’ju përcjell të gjithë atyre që na ndjekin aktualisht, që sipas të gjitha të dhënave dhe ndjekur të gjitha orientimet e të gjitha autoriteteve shkencore shëndetësore në të gjithë vendet që i ndjekim me vëmendje, shkolla nuk konsiderohen një vatër e nxehtë, por një hapësirë që kanë patjetër edhe potencialin e tyre të rrezikut, që do të thotë që nga njëra anë që masat të zbatohen rigorozisht në çdo shkollë, siç po ndodh, që personeli drejtues dhe pedagogjik të jetë sa më i durueshëm në zbatimin e tyre. Nga ana tjetër ajo ça kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur është që në vlerësimet e përgjithshme që bëhen lidhur me shkollat, domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër, mbrojtjes së drejtpërdrejtë dhe mbrojtjes psikologjike, është në rendin e ditës në këtë vendimmarrje, sidoqoftë kjo është një vendimmarrje që u takon autoriteteve, nuk më takon mua. Jam i vetëdijshëm për këtë sfidë por kryesorja është që secili të bëj detyrën e vet”, tha Rama.

Rama: Të shmangim kalimin e spitaleve në mbingarkesë dhe mbylljen e përgjithshme

Më herët kryeministri kërkoi vetëdijesim nga qytetarët që të tregojnë kujdes, në mënyrë që të shmanget kalimi i spitaleve në mbingarkesë dhe për të shmangur mbylljen e përgjithshme.

“Dua të nënvizoj faktin që është me rëndësi të posaçme dhe do të kërkoja edhe ndihmën e juve që më ndiqni që të jemi sa më të vetëdijshëm që i kemi në dorë të gjithë, secili në pozicionin e vet, por së bashku si komunitet të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të të gjithë atyre që janë në nevojë, edhe qoftë mbylljen e përgjithshme”, tha Rama.

“Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar të vetdijësohet që ka një rol për të luajtur, në radhë të parë për të mbrojtur shëndetin e vet dhe të familjes së vet, duke bërë këtë jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar luftën e përditshme dhe të përnatshme që behet në vijën e zjarrit, aty ku trajtohen pacientët e prekur me Covid dhe që kanë simptoma të rënda, qoftë për të shmangur një mbyllje që do kishte pasoja të padëshirueshme në të gjitha aspektet, qoftë në aspekt të ekonomisë”, vijoi ai.
Shtuar më 24/11/2020, ora 11:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori