Ahmeti i kërkon Prokurorisë t’i hetojë gjithë funksionarët e BDI-së

“Le të fillojë nga unë, e të vazhdojë deri tek çdo funksionar i BDI-së”. Këtë e deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti,  duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me hetimet nga prokuroria për Ramiz Merkon dhe funksionarët e tjerë të BDI-së. Ahmeti tha se ai prokurorit Lubomir Joveski i ka thënë se do ta ketë votën, ndërsa hap hetim për të gjithë funksionarët e BDI-së.

“Kjo kërkesë është bërë Prokurorisë Speciale, zonjës Katica Janeva, dhe kryeprokurorit të cilit jam ulur dhe i kam thënë se votën time do e kesh në parlament nëse ti hap hetim për të gjithë funksionarët e BDI-së, nga unë deri tek funksionari i nivelit më të ulët”

Megjithatë Ahmeti tha se ai drejton parti politik dhe nuk është organ hetues. Kreu i integristëve tha se ka kërkuar edhe ndihmën e ekspertëve ndërkombëtar, për të qenë më i besueshëm procesi i vetingut.

 “Të gjithë engjëj nuk janë në BDI, por unë kam organe politike, nuk kam organe prokurorie hetuesie. Kjo punë u takon atyre që paguhen nga taksa paguesit, ai taksa pagues jam edhe unë për t’u ndjekur drejtësia, për tu vendosur rend dhe rregull në shtet. Për të qenë kredibil si proces, kërkojmë edhe ekspertë ndërkombëtarë, për ta bërë më të besueshëm procesin.”

Deklaratat e Ahmetit vijnë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve brendapartiake për 14 degë. Ali Ahmeti tha se në të dy raundet kanë votuar 28 778 anëtarë. BDI-së, i kanë mbetur të zgjedhen edhe kryetarët e degëve në Strugë, Saraj, Haraçinë, Gazi Babë, Kaposh, Çucer Sandev, Mavrovë dhe Rostushë dhe në Qendër Zhupë./shenja