“Mos akuzoni nënën kur fëmija është sëmurë”, thirrja e pediatres Lira Gjika për gjyshërit e baballarët

Pediatrja e njohur Lira Gjika është shprehur se nuk duhet akuzuar nëna kur fëmija është i sëmurë.

Sipas pediatres, edhe kur nëna është në gabim nuk duhet akuzuar asnjëherë.

“Një nga situatat që jam përballur që në fillimet e punës time si pediatre dhe që vazhdon dhe sot e kësaj dite të jetë prezente në trajtimin e fëmijës së sëmurë, është akuza që i bëhej nënës kur fëmija i saj sëmurej. Akuza bëhej si nga nëna e saj po ashtu edhe nga vjehrra, të dyja njëlloj pa dallim, i tregojnë “se ti e sëmure djalin apo vajzën se nuk di ta mbash”. Dhe gati gati e përjashtojnë nënën në trajtimin e fëmijës.

Babai i fëmijës bëhej konfuz, nervozohej dhe shpesh bëhej palë me “të vjetrat” dhe nuk rrinte krah gruas për të ndihmuar fëmijën. Për ta kompletuar situatën, mjeku që viziton fëmijën, me këshillat dhe recetën citonte dhe frazën “ se këto të rejat kështu janë, nuk dëgjojnë”. Kjo mënyrë të sjellit të të rriturve kur një fëmijë është sëmurë, ka ardhur koha të merret seriozisht në konsideratë. Fëmijën nuk e ndihmon dot njeri më shumë se sa nëna e tij, pasi vetë fëmija e kërkon prej saj.

Gjyshër, baballarë, profesionistë, nëse vërtetë doni të ndihmoni fëmijën, mos i përjashtoni dhe akuzoni nënën. Edhe sikur të jetë e vërtetë që nëna është e pakujdesshme, gjeni mënyrën e duhur që të ndihmoni nënën që të jetë sa më ndihmuese për fëmijën e sajë. Pa qetësinë e nënës gjërat janë shumë më të vështira për fëmijën”, shkruan ajo.

Kujtojmë se Lira Gjika jep shpesh këshilla të vyera për nënat e reja dhe fëmijët e sapolindur./albeu.com/