Shqiptarët u granatuan, maqedonasit kërkojnë dëmshpërblimin
Albeu.com
Maqedonasit i kërkojnë shtetit rreth 25 milionë euro kompensim si rezultat i dëmeve të shkaktuara nga konflikti i vitit 2001, ndërsa vetëm një shqiptar ka shprehur interesim për të kërkuar dëmshpërblim.Pesë vjet pas përfundimit të konfliktit të vititi 2001, një numër i madh i qytetarëve dhe firmave maqedonase kërkojnë gjithsej 25 milionë euro dëmshpërblim nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara në atë kohë. Ndërkohë që me përjashtim të rastit të Isniferiz Xhemailit nga fshati Kamenjan i Tetovës, të cilit i është paguar dëmi për një mijë dhentë e mbytura nga granatimet e vitit 2001, shqiptarët në përgjithësi nuk kanë shprehur interesim për të kërkuar dëmshpërblim.
Për të qenë paradoksi më i madh, kërkuesit e dëmshpërblimeve janë nga viset ku nuk janë zhvilluar luftimet më të ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave maqedonase.
Banorët maqedonas nga rrethina e Shkupit, kërkojnë 10,8 milionë euro. “Kërkesat për kompensimin e dëmeve materiale janë shuma të mëdha dhe joreale”, kanë thënë kohë më parë nga Prokuroria publike, e cila e përfaqëson shtetin në më shumë se një mijë konteste për dëmet materiale nga konflikti.
”Rreth 10 milionë e 835 mijë euro është shuma që kërkohet nga shteti për kompensim të dëmeve materiale në rrethinën e Shkupit. Maqedonasit e shpërngulur nga fshati Haraçinë kërkojnë 6,8 milionë euro. Fshatrat e Kumanovës Mateç, Dumanoc dhe Ropalcë kërkojnë rreth 1 milion e 37 mijë euro, ndërsa firmat e këtij rajoni kanë kërkuar rreth 3,5 milionë euro”, bëjnë të ditur nga Prokuroria.
Në Tetovë janë kërkuar mbi tetë milionë euro kompensim, ndërsa në Manastir rreth 1,5 milion euro.
Kryetari i Haraçinës, Muzafer Bislimi thotë se shqiptarët e komunës së tij nuk kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti. “Dëmshpërblimi i vetëm ka qenë rasti me tre xhamitë e dëmtuara për të cilat kemi kërkuar 250 mijë euro, mirëpo procesi zvarritet ende nëpër gjyqe”. Bislimi thotë se shqiptarët shtëpitë i kanë rindërtuar me donacione të huaja, ndërsa maqedonasit e paditin vetë shtetin e tyre që është edhe një paradoks.
Kryetari i Komunës së Likovës, Beqir Saqipi, rajoni më i dëmtuar nga veprimet luftarake në vitin 2001, thotë se nuk posedon informacione rreth kërkesave të shqiptarëve për dëmshpërblim nga shteti. “Ka vetëm disa që kanë kërkuar dëmshëprblim në mënyrë individuale, por nuk di asgjë më tepër”, tha ai.
Dije Arifi, udhëheqëse në Sektorin për Urbanizëm në Komunën e Likovës, thotë se shqiptarët nuk kanë kërkuar kompensim nga shteti. “Në një informatë që dhamë vitin e kaluar për paraqitjen e kërkesave për dëmshpërblim, shqiptarët nuk panë interes të paraqiten dhe të kërkojnë kompensim. Kjo mund të jetë ndoshta edhe si rezultat i asaj se shqiptarët e këtij rajoni kishin humbur besimin në institucionet e shtetit”, tha Arifi.
nga BEKIM BUÇI, Lajm
Shtuar më 24/03/2006, ora 15:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori