Ukraina zotohet se “mbrojtja heroike” e Donbasit do të vazhdojë

Rusia pretendon se forcat e saj kanë marrë kontrollin e plotë të lagjeve të banueshme në qytetin lindor ukrainas të Severodonjeckut, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se “mbrojtja heroike” e Donbasit do të vazhdojë.

Qyteti strategjik i Severodonjeckut aktualisht është në fokusin e ofensivës ruse, teksa forcat e Kremlinit u zmbrapsën nga pjesë të tjera të Ukrainës, pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt.

Luftimet e ashpra në rrugë po zhvillohen që disa ditë, teksa situata në terren po ndryshon shpejt.

Rusia pretendoi të martën se zonat e banuara janë “çliruar plotësisht”, por forcat ukrainase ende kanë nën kontroll zonën industriale dhe vendbanimet përreth.

Zyrtarët ukrainas më pas thanë se Rusia nuk e ka nën kontroll qytetin, teksa presidenti Volodymyr Zelensky, u zotua se rezistenca do të vazhdojë.

“Mbrojtja absolutisht heroike e Donbasit do të vazhdojë”, tha ai gjatë një adresimi natën e së martës.

“Pushtuesit nuk e besonin se rezistenca e ushtrisë sonë do të jetë kaq e fortë”, shtoi ai.

Qytetet e Severodonjeckut dhe Lisiçanskut, që ndahen nga një lumë, janë zonat e fundit nën kontrollin ukrainas në Luhansk, që së bashku me Donjeckun përbëjnë rajonin e Donbasit.

Pasi dështoi që të marrë Kievin, forcat ruse po tentojnë që të marrin Donbasin, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Luftimet në Severodonjeck janë intensifikuar së fundmi dhe para disa ditësh dukej se forcat ruse ishin pranë marrjes së kontrollit, por forcat ukrainase kryen kundërsulme.

Ushtria ukrainase tha po ashtu se forcat ruse po përgatiten që të sulmojnë qytetin Slloviansk, afër 65 kilometra në perëndim të Severodonjeckut.

Nëse arrijnë të marrin këtë qytet, atëherë forcat ruse do të hapnin rrugën për në Kramatorsk, qytetit kryesor që është nën kontrollin ukrainas në rajonin e Donbasit.

Teksa pushtimi i paprovokuar rus në Ukrainë po vazhdon, Banka Botërore ka ulur parashikimet për rritjen globale në 2.9 për qind apo 1.2 pikë të përqindjes më pak sesa parashikimi i bërë në janar. Kjo ulje e parashikimit u tha se është bërë kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë.

Kombinimi i rritjes së dobët ekonomike dhe rritjes së çmimeve mund të shkaktojnë probleme për shumë shtete të varfra, të cilat ende nuk janë rikuperuar nga pandemia e koronavirusit, tha Banka Botërore.

“Për shumë vende, recesioni do të jetë i vështirë që të shmanget”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Banka Botërore njoftoi po ashtu se ka ndarë 1.5 miliard dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën, duke bërë që ndihma e përgjithshme deri më tani për Ukrainën të arrijë në më shumë se 4 miliardë dollarë./REL