Shqiptaret te pakenaqur por Ahmeti pohon se nuk do te dal nga qeveria
Albeu.com
Edhe përkundër presionit të brendshëm dhe tensionit brenda partisë për të braktisur qeverinë, siç duket BDI është e vendosur që të mos braktis qeverinë. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti ka deklaruar sot se BDI nuk do të braktis Qeverinë, por në rrugë institucionale do të angazhohet të zgjidh të gjithë çështjet e hapura.Komentet pasuan pa takimi që Ahmeti zhvilloi në Tetovë me ambasadorinë amerikan, Filip Riker.
“Nuk mendojmë që është zgjidhje braktisja e institucioneve, por në rrugë institucionale të arrijmë t’i mbyllim dhe t'i zgjedhim problemet. Unë shtroj pyetje para jush poqëse BDI braktis institucionet, ku do shkojë, do shpall grevë urie para institucioneve, do dal në rrugë, apo do shkoj te shpija”, pyeti Ali Ahmeti,kryetar i BDI-së.

Ahmeti tha se është në interes të të gjithëve në Maqedoni zgjidhja e çështjeve të hapura përfshirë edhe kontestin rreth emrit me Greqinë. Ahmeti tha se Aleanca veriatlantike nuk dëshiron që pjesë e saj të jenë shtete me probleme të brendshme.
“Ne pretendojmë të jemi anëtarë të NATO-së dhe me probleme të mbrendshme të pazgjidhura sigurisht që ka një hezitim edhe nga NATO-ja që nuk do të ketë në familjen e vetë vende të cilat trashigojnë probleme të pazgjidhura. Nuk kam ndonjë instrument për matjen e vullnetit, por mendoj që është më se e nevojshme që të gjitha palët të mendojnë në mënyrë konstruktive dhe të punojmë në drejtim të zgjidhjes së çështjeve", shtoi Ali Ahmeti.

Ndërkohë, ambasadori i SHBA-ve, Filip Riker ka porositur qeverinë që të përshpejtojnë në gjetjen e zgjidhjes për çështjen e emrit, që vendi sa më parë të anëtarësohet në NATO dhe të vazhdohet me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ka vullnet nga dyja anët, kjo pas ndikimit të ndihmëssekretearit Filip Gordon. Greqia ka kryeministër relativisht të ri, i cili deklaroi se është serioz që kjo çështje të lëviz përpara. Ne takuam edhe zotin Gruevski javën e kaluar dhe i përcollëm të njëjtat mesazhe. Ne mendojmë se kjo është e mundur nëse Maqedonia ka vullnet, dhe në të njëjtën kohë duhet të vazhdoni si shtet që të punoni bashkërisht në temat e dialogut ndëeretnik politik dhe jo të bllokoheni me politika që janë shumë më të vogla nga ato me të cilat ballafaqoheni”, theksoi Filip Riker, ambassador i SHBA në Maqedoni.

Ahmeti pas takimit me diplomatin e lartë amerikan Filip Gordon paraqiti tre kërkesa, mbylljen e rasteve të Hagës, lirimin e të burgosurve në rastin Sopoti si dhe zgjidhjen e statusit të ish-pjestarëve të UCK-së. Por deri më tani Gruevski nuk është prononcuar publikisht për këto kërkësa ndërsa burime brenda BDI-së kanë bërë të ditur se për kërkesat e parashtruara janë formuar grupe të punës mes dy partive dhe se së shpejti mund të pritet edhe zgjidhje konkrete.

Ditë më parë portali Albeu pati njoftuar për "luftën" brenda partisë për largim nga qeveria dhe pakënaqësinë e madhe të popullatës ndaj qeverisë dhe politikave të Gruevskit por si duket Ahmeti ka vendosur që të rrijë në qeveri edhe përkundër riskut për të përfunduar siç përfundoi PDSH-ja. (albeu/alsat-m)
Shtuar më 22/05/2010, ora 19:05
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori