Shqiptarët të izoluar në banesa, si po u jepet lamtumira atyre që humbasin betejen me COVID-19
Përcjellja për në banesën e fundit është gjithmonë e dhimbshme. Por në këtë kohë pandemie, dhimbja është më e fortë.

Shqiptarët i janë bindur rregullave, duke hequr dorë nga një prej të nderimeve më të forta zakonore, atij për të ndjerin. Heshtja e përhershme në varrezat publike, është bërë më e ftohtë në këto ditë vetëizolimi.

Me 22 jetë të humbura nga koronavirus, Tirana është Bashkia më e madhe me numrin e prekurve dhe të vdekurve.

“Në Bashkinë e Tiranës janë realizuar 10 varrime të personave më koronavirus. Ne normalisht i regjistrojmë të gjitha skedat e vdekjeve, nuk jemi të specializuar në këtë fushë, por gjithsesi shkaqet janë edhe të viteve më parë. Rastet me koronavirus janë të mirëpërcaktuara në certifikatat e vdekjes që ne i marrim nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh Raimonda Shino.

Drejtoresha e Përgjithshme e “Agjencisë së Shërbimit Funeral” në Bashkinë e Tiranës, Raimonda Shino flet për shifra brenda kufijve normal të vdekshmërive, duke e krahasuar me një vit më parë.

“Ajo që dua të veçoj për rastin e COVID, është se ceremonia kryhet direkt nga morgu i spitalit. Nuk kemi mbajtjen në shtëpi. Nga morgu, i ndjeri sillet direkt në varreza. Pjesa teknike është në zbatim të ligjit. Ka masa më të forta në drejtim të dezinfektimit”, u shpreh ajo.

Në një protokoll të paracaktuar, banesa e fundit për të ndjerët me COVID-19 ka një thellësi më të madhe, ndërkohë që në ceremonitë e zhvilluara mungojnë përgjithësisht familjarët e afërt.

“Ne bëjmë dezinfektimin përpara se të fillojë procesi i varrimit dhe pasi mbaron procesi i varrimit, dhe kjo është një masë e shtuar. Familjarët më të afërt janë në karantinë, dhe janë shoqëruar të afërm më të largët”, tha më tej Shino.

Vdekshmëritë e në territorin e Tiranës në 3 mujorin e parë të vitit 2020 sipas Shinos janë në të njëjtat nivele me ato të një viti më parë dhe humbjet e jetës lidhen kryesisht sëmundjet e pashërueshme apo vdekjet natyrale.

Kortezhet e gjata dhe nderimet e përhershme në Shqipëri do të mungojnë deri në kohën kur Shqipëria do të fitojë betejën me koronavirusin. Derisa kjo të ndodhë, lamtumirat do të vijojnë të jenë të thjeshta, dhe shumë të dhimbshme. /abcnews.al

Shtuar më 08/04/2020, ora 16:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori