Shqiptaret, popull privat ne Maqedoni
Albeu.com
Statusi i shqiptarëve në Maqedoni, i takon aspektit obstruksional, të fushës private. Analistët shqiptarë vlerësojnë se maqedonasit mbrojnë të drejtat e tyre si shtetas të vërtetë të Maqedonisë.
“I kujt është shteti? Në bazë të konceptit që prodhon VMRO, shqiptarët këtu janë popull privat. Të drejtat tona në nivel institucional janë të barabarta me ato të kinezëve, që vijnë këtu për çështje tregtie. Nëse ky shtet promovohet dhe funksionon në nivel institucional, si shtet që nënkupton i maqedonasve, atëherë natyrisht se ata do të kërkojnë të vendosin përmendore të interesave të veta, sepse mendojnë se shteti është i tyre dhe mund të bëjnë çfarë të duan. Ne mund të bëjmë përmendore, kemi të drejtë por kjo është në sferën private” tha Ymer Ismaili, analist politik. Sipas Ismailit këtë çështje duhet ta rregullojnë politikanët të cilët kanë marrë përgjegjësi që të mbrojnë interesat e popullit. I të njëjtit mendim është edhe analisti Hamit Aliu, i cili tha se faji më i madh qëndron tek faktorët politik që përfaqësojnë popullin. “Ky fat po na ndjek që prej vitit 1990 e këndej. Njëherë e përgjithmonë, nuk duhet të ngurrojmë që të kërkojmë atë që na takon. Sa i takon hises, nuk kërkojmë as më pak as më tepër. Kërkojmë aq sa ne participojmë në Maqedoni, aq sa na takon në buxhetin e shtetit”, tha Hamit Aliu, analist ekonomik. Sipas tij, shqiptarët janë të diskriminuar në çdo hap, si në pushtet, kulturë, shkencë, arsim, dhe në çdo hapësirë tjetër, kurse tash po diskriminohen edhe me vendosjen e përmendoreve. “Në mënyrë sistematike, në plan të caktuar ky pushtet i bën krejt këto budallallëqe kundër nesh. Por për fat të keq, nuk po mundemi të ngremë fjalën tonë në mënyrë institucionale, sepse vetëm gazetat shqipe e alarmojnë atë. Kjo është një marrëzi që e bën qeveria e Maqedonisë, njëherë e përgjithmonë duhet të ndahet ky hov”, shtoi Aliu. Ndërkaq, vetëm për pamjen vizuale të projektit “Shkupi 2014”, janë harxhuar 153 mijë euro. Për përpunimin e fontanës, në qendër të Shkupit janë paguar 840 mijë euro, për përmendoren e Aleksandrit të Madh, vetëm në projekt janë dhënë 650 mijë euro, për bustin e Filipit me katër fontana një milion euro. Gjithashtu për heroin Karposh janë harxhuar 200 mijë euro, Shën Kliment dhe Ohridski 78 mijë euro. (lajm)
Shtuar më 22/02/2010, ora 21:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori