Shqiptarët mbetën pa gjuhën shqipe
Albeu.com
Ligji për përdorimin e gjuhës do të presë përbërjen e ardhshme të Parlamentit. Mosmiratimin e këtij ligji, tani pas katër vjetësh në pushtet, në koalicionin qeveritar e arsyetojnë me mungesën e kohës. Ndërsa opozita akuzon se fajtor kryesor që ky ligj nuk është miratuar deri më tani, është BDI.Derisa politikanët akuzojnë njëri-tjetrin për mosrregullimin e çështjes së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, qytetarët nuk dinë se në çfarë gjuhe t’u drejtohen institucioneve

Ligji për përdorimin e gjuhës do të presë përbërjen e ardhshme të Parlamentit. Mosmiratimin e këtij ligji, tani pas katër vjetësh në pushtet, në koalicionin qeveritar e arsyetojnë me mungesën e kohës. Ndërsa opozita akuzon se fajtor kryesor që ky ligj nuk është miratuar deri më tani, është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
“Ligji për përdorimin e gjuhës nuk është i parëndësishëm që ta sjellim në mënyrë të përshpejtuar. Përkundrazi, është shtylla kryesore e Maqedonisë pas Marrëveshjes së Ohrit. Jemi të interesuar për të ndërtuar një kornizë ligjore për përdorim afatgjatë ku nuk do të liheshin hapësira për ta vënë në dyshim përdorimin e gjuhës shqipe”, thotë për “Lajm” zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Ajo bën të ditur se BDI ka angazhuar ekspertë belg dhe zviceranë të cilët në bashkëpunim me ekspertët partiakë, janë duke e përgatitur projekt-ligjin në fjalë.
Mirëpo, derisa në BDI thonë se projekt-ligji është në përgatitje e sipër, nga tabori opozitar vijën akuza të ashpra. “Kryeministri Buçkovski kohë më parë e bëri me dije se nuk dëshiron as të diskutojë për sjelljen e këtij ligji. Me këtë ranë në ujë përpjekjet dhe manipulimet e BDI-së se e kanë përgatitur projekt-ligj dhe se i njëjti qenka në Qeveri”, thotë për “Lajm” nënkryetari i PDSH-së Iljaz Halimi. Sipas tij, Ligji për përdorimin e gjuhëve është i pari në agjendën e kësaj partie për mandatin e ardhshëm politik.
Për Partinë për Prosperitet Demokratik (PPD) Ligji për përdorimin e gjuhëve duhej të ishte miratur që kur kjo garniturë politike erdhi në pushtet.“Ky ligj do të duhej të ishte sjellur shumë më herët, sepse do të rregullonte shumë segmente të përdorimit të gjuhës në përditshmëri dhe në institucione”, vlerëson nënkryetari i PPD-së Ismet Ramadani. Sipas tij, miratimi i ligjit do t’i kishte mbyllur konfuzionet ku, sa dhe si duhet të përdoret gjuha shqipe.
Ndërkaq në kabinetin e kryeministrit Vllado Buçkovski nuk deshën të precizojnë se si dhe kur do të zgjidhet çështja e problemit të gjuhës. Zëdhënësi i Sasho Çollakovski, tha se “ky problem do të shyrtohet në të ardhmen” pa precizuar se kur.
mga QASHIF BAKIU, Lajm
Shtuar më 03/04/2006, ora 16:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori