Korrupsioni “kap prej fyti” Portin e Durrësit, si majmen me para familjarët e qeveritarëve në kurriz të biznesit

Korrupsioni dhe makuteria në doganat shqiptare po cenon rëndë sigurinë kombëtare. Videot që News24 disponon vërtetojnë faktin se si kufijtë e Shqipërisë janë kthyer në han pa porta, ku subjektet private marrin dhe i vendosin vetë plumbçet e sigurisë në kamionët që transportojnë mallra importi apo eksporti.

Sipas procedurave për çdo kontroll fizik ngarkesa që kryen procedurën vuloset me plumbçe me qëllim që malli që është brenda të mos preket deri në destinacionin final.

Por në doganën e Durrësit plumbçet e sigurisë administrohen lirshëm nga subjektet private. Në një rast doganieri Ermir Hazizi i sektorit fizik të importet, i jep plumbçen subjektit dhe i merr paratë.

Doganieri i kontrollit fizik te importi Ermir Hazizi: E bardha është e jotja. Atë të verdhën ku e ke?

Qytetari: E ka shoferi.

Doganieri i kontrollit fizik te importi Ermir Hazizi: Dil te dritarja.

(Qytetari del jashtë te dritarja. Doganieri i jep letrat dhe plumbçen dhe i merr lekët)

Doganieri i kontrollit fizik te importi, Ermir Hazizi: Me përgjegjësi këto.

Qytetari: Po mo. Rrofsh!

Në çdo video vërtetohet fakti se plumbçet e sigurisë të cilat kanë një tarifë simbolike prej 80 lekësh, jepen kundrejt ryshfetit. Një zyrtari nuk i lejohet asnjëherë të marrë lek cash i veshur me uniformë, pasi duhet me mandat dhe pagesa në bankë.

Doganieri i kontrollit fizik te importi, Ermir Hazizi: Ule dorën, merri dhe ik!

Në video shihen se subjektet janë të lira të vendosin vete plumbçen e sigurisë si në import ashtu edhe në eksport kundrejt ryshfetit, ndërsa kontrolli fizik nga doganierët nuk ushtrohet.

Shoferi që vendos plumbçen: Ma jep pak pincën…

Pamjet tregojnë pastër se pasi shoferi vendos plumbçen, qytetari shkon te doganieri fizik i eksportit Gentjan Disha dhe i jep paratë. Në një video tjetër doganieri i fizikut te importi, Muharrem Shehu merr ryshfet për plumbçen e sigurisë.

Mungesa e këtyre plumbçeve në ngarkesat e mallit është vepër penale. Nuk është çështje vetëm kontrabande, pasi përmes një ngarkese të pavulosur mund të futen me mijëra mallra të ndaluar, që nga droga, armët dhe paratë e pista, deri tek lëndët radioaktive apo helmuese që mund të përdoren për qëllime terroriste. Në shumë raste të ngarkesave me kokainë te zbuluar pikërisht në portin e Durrësit, plumbçet e sigurisë ishin hequr. /Balkanweb


Shtuar 14.12.2022 14:27