Shqiptarët e mbetur jashtë kufijve, ish-ministri i Jashtëm: Të mundësohet kthimi!

Ish-ministri i Jashtëm, socialisti Ditmir Bushati, ka një mesazh për të gjithë ata shqiptarë që kanë mbetur jashtë kufijve nga emergjenca e koronavirusit.

Ai thotë se jemi të gjithë sot në një situatë të paprecedentë sepse e tillë është vetë natyra e kësaj pandemie që s’njeh kufij dhe që ka detyruar e po detyron një e nga një shtetet t’i mbyllin ato.

Sipas tij, masat e ndërmarra janë të domosdoshme megjithëse kanë shkaktuar vështirësi në funksionimin e rrjedhës normale të jetës, por se jeta, shëndeti dhe siguria e çdo qytetari ka përparësi absolute.

“Por besoj se krahas masave shtrënguese të pashmangshme, duhet të gjejmë edhe mjete e mënyra për të ndihmuar çdo bashkëatdhetar, aty ku janë mundësitë. E kam fjalën pikërisht për ato qindra qytetarë shqiptarë që kjo situatë i gjeti në befasi jashtë vendit. Dikë në udhëtim në kufijtë kohor të qëndrimit të lejuar brenda zonës Schengen, dikë për trajtim mjekësor e dikë tjetër për qëllime studimi. Këta qytetarë me të drejtë kërkojnë të kthehen një orë e më parë në Shqipëri pranë familjeve të tyre”, thotë Bushati.

Ai shton se në kushtet kur kthimi në atdhe duket një mision i pamundur, është i nevojshëm informimi i tyre, qartësimi i procedurave dhe rrugëve që mundëson kthimin e tyre në atdhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare për situata të tilla.

Po kështu, sugjeron ish-kryediplomati shqiptar duhet kërkuar ndihma e Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së që askush prej shtetasve shqiptar të mos penalizohet në rastet e tejkalimit të periudhës 90 ditore në zonën Schengen.

“Ne nuk mund të parashikojmë se sa do të zgjas kjo situatë. Por, duhet të evidentojmë rastet e bashkëatdhetarëve të mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj situate dhe përmes bashkëpunimit ndërshtetëror të sigurojmë një kalim të sigurtë që mundëson kthimin e qytetarëve në atdhe. Me kurajë, ndërgjegjësim e solidaritet do ta kalojmë edhe këtë situatë!”, thotë në mbyllje Bushati.
Shtuar më 16/03/2020, ora 20:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori