Shqiptaret e Maqedonise kerkojne ndihme nga Kosova dhe Shqiperia per Enciklopedine maqedone
Albeu.com
Enciklopedia e re do të pagëzohet “Enciklopedia e Republikës së Maqedonisë” dhe jo “maqedonase”, sikurse ishte rasti me enciklopedinë e mëparshme të Blazhe Ristovskit, e cila u vlerësua si një enciklopedi nacionale, që nuk paraqiste karakterin shumetnik të Maqedonisë.
Këtë e kanë konfirmuar anëtarët shqiptarë të Redaksisë së re të Enciklopedisë, Alajdin Abazi dhe Ramiz Abdyli. “Redaksia e re deri tani ka pasur dy takime në të cilët u formua një qasje kritike ndaj enciklopedisë së vjetër, e cila u tërhoq nga përdorimi dhe natyrisht kemi shprehur qëndrimin tonë se ne jemi për një enciklopedi të re. Sipas të gjitha gjasave, enciklopedia e re do të ketë emrin ‘Enciklopedia e Republikës së Maqedonisë’. Jemi në pritje të ftesës së kryeredaktorit për takimin e ardhshëm në të cilin do të debatojmë më gjerësisht për qasjen e Enciklopedisë së re”, ka thënë akademik Abazi. Ai madje ka shtuar se në Enciklopedinë e re s’do të ketë vend për termet diskutabile apo për ofendime, siç janë: ”shiptari”, apo “NATO agresori”.
“Mendoj se Enciklopedia e re duhet të ndryshohet tërësisht, sepse ajo nuk mban vetëm fjalë ofenduese për shqiptarët, por ka edhe disa fjalë fyese edhe për NATO-n, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe“, ka thënë Abazi. Redaksia e re ende nuk ka marrë ndonjë qëndrim të ri rreth përdorimit të pjesëve, të cilat ngjallën debat.
Anëtarët shqiptarë paralajmërojnë se ndihmë do të kërkojnë edhe nga Shqipëria dhe Kosova.
“Edhe pse ende nuk kemi ardhur në fazën e hulumtimit të argumenteve të tërësishme që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi, ne si Redaksi e re pa dyshim se kemi nevojë për një numër të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve të jashtëm qofshin nga Shqipëria apo nga Kosova”, ka thënë akademiku Alajdin Abazi.
Redaksia e re, përveç obligimit që të hartojë Enciklopedinë e parë të Maqedonisë, do të ketë edhe një detyrë shumë të rëndësishme në kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë, si dhe kthimin e imazhit të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë para faktorit ndërkombëtar pas publikimit të Enciklopedisë kontroverse të Blazhe Ristovskit e cila në vete ngërthente të dhëna të pavërteta rreth prejardhjes së shqiptarëve, ndërsa nuk munguan as fjalët ofenduese për NATO-n, SHBA-në dhe ushtarët e tyre. Anëtarët shqiptarë të Redaksisë së re theksojnë se synimi do të jetë hartimi i një enciklopedie objektive dhe normale, e jo enciklopedi kornizë. Redaksia e re përbëhet prej nëntë anëtarësh, ndërsa shqiptarët përfaqësohen nga akademiku Alajdin Abazi dhe profesori Ramiz Abdyli.
Shtuar më 13/05/2010, ora 12:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori