NYT: Bota në prag të katastrofës bërthamore, si mund të shpëtojmë

Nga Serge Schmemann “New York Times

Të shtunën pati raportime se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka një ekip ekspertësh të gatshëm të inspektojnë brenda disa ditësh termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë. Në fakt edhe 1 minutë vonesë mund te jetë dramatike, pasi predha artilerie po godasin vazhdimisht brenda dhe përreth objektit, centralit më të madh bërthamor në Evropë.

Të enjten e kaluar, bombardimet dëmtuan linjat energjitike të jashtme, duke kërcënuar furnizimin me energji të objektit që është shumë jetik për funksionimin e tij. Teknikët ukrainas ia dolën deri të premten ta rilidhin centralin me rrjetin kombëtar të energjisë, duke e shmangur katastrofën.

Logjika është një “mall” shumë i rrallë në një luftë në të cilën Rusia po zhvillon një fushatë të “tokës së djegur” për ta gjunjëzuar Ukrainën, dhe kur kjo e fundit po lufton për mbijetesën e saj. Megjithatë, marrëveshja e fundit për të lejuar eksportet e grurit nga Ukraina, tregoi se mund të funksionojë presioni ndërkombëtar mbi Rusinë për të parandaluar përhapjen e konfliktit përtej fushëbetejave aktuale.

Dhe në rastin e Çernobilit, si një kujtim traumatik i përbashkët, rusët dhe ukrainasit e njohin më mirë se shumica e vende të tjera tmerrin e një katastrofe bërthamore. Unë isha shefi i zyrës së “NYT” në Moskë kur shpërtheu termocentrali në Çernobil në prillin e vitit 1986, dhe e mbaj mend shumë mirë frikën e madhe nga një kërcënim i padukshëm vdekjeprurës që përshkonte ajrin e pastër të pranverës.

36 vjet më vonë, rreth 1000 milje katrorë rreth uzinës së dëmtuar qëndrojnë ende të mbyllura. Pa dyshim që këto kujtime u rikthyen pas raporteve mediatike se Ukraina po përgatit plane evakuimi për rreth 400.000 njerëz që jetojnë pranë centralit të Zaporizhzhia.

Zaporizhzhia është një termocentral me një dizajn modern dhe shumë më i sigurt sesa Çernobili, dhe është teorikisht i aftë të përballojë dëmtime shumë më të mëdha. Por potenciali për një katastrofë të madhe është real dhe i pranishëm sa herë që predhat bien midis reaktorëve bërthamorë, kullave të ftohjes, dhomave të makinerive dhe vendeve të depozitimit të mbetjeve radioaktive.

E pushtuar nga rusët për pak ditë, në fillim të pushtimit të Ukrainës 6 muaj më parë, termocentrali i pozicionuar buzë lumin Dnipro është tani në vijën e parë të frontit luftës. Një raport i NYT të martën sqaroi në detaje se çfarë do të thotë kjo: predha artilerie që shpërthejnë vazhdimisht aty pranë, ndërsa teknikët ukrainas po mundohen që të garantojnë funksionimin e tij nën kërcënimin e armëve të rreth 500 ushtarëve rusë.

Gazeta raportoi se gjatë fillimit të pushtimit, një plumb i kalibrit të madh shpoi një mur të jashtëm të njërit prej 6 reaktorëve, ndërsa një predhë artilerie goditi një transformator elektrik të mbushur me vaj për ftohjen e pajisjes. Ndërprerja e energjisë elektrike për centralin mund të kishte çuar në një shkrirje të lëndës bërthamore.

Fatmirësisht kjo gjë nuk ndodhi. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Bërthamore Ndërkombëtare, IAEA, Rafael Mariano Grossi, ka folur kohët e fundit për 7 kushte të domosdoshme kritike për sigurinë bërthamore, të cilat përfshinin integritetin fizik të centralit, furnizimin me energji nga jashtë vendit, sistemet e ftohjes dhe gatishmërinë në raste emergjencash.

“Që të gjitha këto parametra janë kompromentuar, ose janë shkelur plotësisht, në një moment apo në një tjetër gjatë kësaj krize”- paralajmëroi ai. Impianti – por edhe të gjithë centralet e tjera bërthamore të Ukrainës, dhe të gjitha ato në mbarë botën – duhet të konsiderohen në mënyrë ideale si zona të çmilitarizuara.

Kjo është në thelb ajo që kanë kërkuar zyrtarët e OKB-së. Por kjo kërkesë është e vështirë të plotësohet në një luftë rrënuese dhe për mbijetese. Një synim më urgjent dhe i arritshëm është që ekspertët e mbledhur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të hyjnë në central për të parë sesi është gjendja.

IAEA, Kombet e Bashkuara dhe udhëheqësit perëndimorë e kanë përgatitur tashmë një mision të tillë. Ukraina dhe Rusia pretendojnë se janë dakord. Por nuk ka qenë aspak e lehtë t’i bindësh rusët dhe ukrainasit të sprapsen disi nga linjat e tyre të frontit.

Përkundrazi, bombardimet janë shtuar shumë këtë muaj, së bashku me ashpërsimin e retorikës. Ukrainasit, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i kanë akuzuar rusët për përdorimin e centralit si një “mburojë bërthamore” për trupat, armët dhe municionet, dhe se kanë qëlluar brenda dhe përreth tij.

Nga ana tjetër Moska akuzon ukrainasit se kanë qëlluar mbi një central që sipas tyre po mbrohet nga ushtarët rusë. Në një akt të çuditshëm, Rusia bëri thirrje javën e shkuar për një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të transmetuar pretendimet e saj, gjë që e nxiti ambasadorin ukrainas të shprehte keqardhjen për humbjen e “më shumë se 1 ore për të dëgjuar një mori kafshimesh zanore fiktive”.

Është e pamundur të përcaktohet se kush është përgjegjës për këtë rrezik shumë të madh. Por fakt është se nuk do të ekzistonte asnjë kërcënim për një katastrofë bërthamore, në rast se Rusia nuk do ta pushtonte Ukrainën, dhe rreziku do të merrte fund menjëherë nëse rusët do të largoheshin prej andej.

Pas disa javësh mosmarrëveshjesh midis Rusisë dhe Ukrainës, mbi mënyrën se si IAEA do të hynte në central, ekspertët kanë vendosur që të kontrollojnë funksionimin e tij, dhe të japin propozimet e tyre si ta bëjnë atë sa më të sigurt që të jetë e mundur.

Ukraina ka kërkuar që ekspertë ndërkombëtarë ushtarakë dhe bërthamorë të vendosen përgjithmonë atje për të siguruar që termocentrali dhe rrethinat e tij të janë të sigurta dhe pa asnjë armatim të rëndë të vendosur aty pranë. Këto janë shqetësime legjitime dhe kërkesa të drejta. Por Rusia, e ka refuzuar krijimin e një zone të çmilitarizuar rreth termocentralit.

Këto janë dallime që mund të zgjidhen, nëpërmjet negociatave të zhvilluara me qetësi dhe maturi, nëse të dyja palët bien dakord mbi nevojën më jetike, atë të shmangies së një katastrofe bërthamore, e cilat do të ishte po aq katastrofike si për Rusinë, po ashtu edhe për Ukrainën apo çdo territor tjetër ku mund të mbërrijë rrezatimi radioaktiv. /abcnews.al