Shqiptarët duan para, jo demagogji
Albeu.com
Stagnimi ekonomik i Maqedonise ishte i lidhur drejtpërdrejt me mungesën e strategjisë ekonomike të Qeverisë për tërheqjen e investimeve të jashtme.Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se situata ekonomike po përkeqësohet për sa u përket shqiptarëve. Ata thonë se stagnimi ekonomik është i lidhur drejtpërdrejt me mungesën e strategjisë ekonomike si dhe tërheqjes së investimeve të huaja nga ana e qeverisë.
Nasir Selimi, dekani i Fakultetit për Administrim Biznesi pranë UEJL-it, vlerëson se situata ekonomike e shqiptarëve brenda këtyre katër vjetëve është duke u dobësuar. Sipas tij, kjo mbështetet në disa tregues, ku mes tjerash është rritja pozitive ekonomike për vetëm tre për qind, rritja e bilancit të pagesave, mungesa e efikasitetit gjyqësor dhe papunësia e madhe.
“Qytetarët shqiptarë në Maqedoni nuk kanë shënuar përparim për sa i përket mirëqenies së tyre. Deficiti i bilancit të pagesave ka shënuar rritje, gjë që në vitin e kaluar shënon rekordin më të lartë”, tha Selimi. Ai vlerëson se ndikim negativ në zhvillimin ekonomik paraqet edhe papunësia e cila zyrtarisht shënon rreth 36 për qind e popullatës aktive, e cila, sipas Selimit, është shumëfish e shprehur në Maqedoninë perëndimore. Kjo gjë, sipas tij, detyron që shumë shqiptarë të kërkojnë jetë më të mirë jashtë atdheut.
“Brenda katër vjetëve, shënohet një rritje shumë e ngadalshme e prodhimit në Maqedoni, përderisa papunësia shënon rritje. Në tërësi, sidomos për shqiptarët, në aspektin ekonomik, vërehet një zhvillim shumë i zbehtë”, tha dekani i Fakultetit ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) Amit Aliu. Sipas tij kjo situatë vjen pasi që nuk është bërë asnjë ndryshim në politikën e investimeve si dhe strategjinë ekonomike. “Me përjashtime të vogla të disa ndërmarrjeve, në aspektin ekonomik shqiptarët janë duke shkuar hap pas hapi teposhtë”.
Ekonomisti Petrit Pollozhani stagnimin ekonomik të shqiptarëve, brenda këtyre katër vjetëve, e sheh në shpalljen e Maqedonisë perëndimore si zonë krize që pamundëson marrjen e kredive. “Vendbanimet shqiptare dihet se janë shpallur si zona krize, ndërsa pjesa tjetër si Struga, Kërçova dhe Dibra janë vendbanime ku shqiptarët jetojnë kryesisht nëpër fshatra. Kjo pamundëson marrjen e kredive kështu që qytetarëve shqiptarë ju mbetet që gjithçka të ndërtojnë me forcat e veta”, tha Pollozhani. Sipas përcjelljeve të trendeve ekonomike, Pollozhani thotë se nuk mund të pritet ndonjë zhvillim pozitiv në Maqedoninë Perëndimore.
Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se për sa i përket shkallës së lartë të papunësisë, Maqedonia rangohet në vend të parë në Evropë.
nga QASHIF BAKIU, Lajm
Shtuar më 07/04/2006, ora 09:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori