Shqiptarët nuk takohen me "branitellat" maqedonas
Albeu.com
Udhëheqësi i projektit, Aleksandar Kërzhallovski deklaroi se të dyja palët e konfliktit te 2001-shit, Shoqata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (SHVL-UÇK) dhe Shoqata e Mbrojtësve maqedonas të Maqedonisë, të cilat kjo organizatë i quajti ish-luftëtarë, kanë qenë të ftuara - por asnjëra nga to nuk mori pjesë.nga Krenar SADIKU
Dy Shoqatat e veteranëve të konfliktit të vitit 2001, Shoqata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (SHVL-UÇK) dhe Shoqata e Mbrojtësve maqedonas të Maqedonisë kanë bojkotuar mundësinë për takim ku edhe u bë prezantimi i Programit për risocializim të ish-luftëtarëve të zhvilluar nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN). Siç informoi udhëheqësi i projektit, Aleksandar Kërzhallovski, të dyja palët e konfliktit, të cilat kjo organizatë i quajti ish-luftëtarë, kanë qenë të ftuara - por asnjëra nga to nuk mori pjesë. Takime dhe kontakte të ngjashme janë shmangur edhe gjatë zhvillimit të këtij projekti, me pretekst se, siç njoftoi Kërzhallovski, akoma është herët të zhvillohen takime ku do të ishin prezentë të dyja palët. Nga ana tjetër, në këtë takim nuk kishte as përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK), të cilat informuan se nuk kanë qenë të ftuar të marrin pjesë dhe se nuk kanë informata se është zhvilluar ndonjë program i këtij lloji. Kryetari i OVL-UÇK, Abedin Zymberi potencoi se këto aktivitete janë në interes të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe paraqesin rëndësi të madhe, por për fat të keq organizata, e cila ka për anëtarë rreth 70 për qind të ish ushtarëve të UÇK-së nuk ka asnjë njohuri dhe as që është ftuar në këtë prezantim. "Ftesë zyrtare nuk kemi pas, kurse për këtë si duket ka qenë e njoftuar vetëm SHVL e Fazli Veliut me të cilën nuk e kemi edhe aq në nivel komunikimin dhe të njëjtit nuk na kanë informuar në kohën kur është zhvilluar ky program", u shpreh Zymberi, duke i vënë theks të veçantë moskomunikimit me SHVL-në e Veliut, pasi siç është shprehur Zymberi, ende nuk e ka dhënë raportin për punën dhe aktivitetet e SHVL-së, të cilën e kanë kërkuar anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së. Programi i QMBN-së kishte për qëllim risocializimin e ish-luftëtarëve nga të dyja palët e konfliktit të armatosur në Maqedoni.
"Shfrytëzues të projektit ishin kryesisht ish-luftëtarë, por edhe anëtarë të familjeve të tyre si dhe anëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe persona që jetojnë në rajone të përfshira nga konflikti", potencoi Kërzhallovski duke shtuar se aktivitete kyçe ishin trajnime për gjuhë angleze, kompjuterë, shkathtësi afariste dhe shkathtësi për vetëpunësim, pastaj ka pasur aktivitete për forcim institucional të kapaciteteve të shoqatave të ish-luftëtarëve si dhe këshillime psiko-sociale. Projekti në fjalë financiarisht është mbështetur nga ana e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni dhe Fondacioni Zhvillimor i Maqedonisë për Ndërmarrje. Koha
Shtuar më 14/07/2007, ora 11:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori