Shqiptarët në Serbi në prag të zgjedhjeve parlamentare
Albeu.com
Zgjedhjet parlamentare serbe zhvillohen këtë javë dhe shqiptarët që jetojnë në Serbi mbështesin gjerësisht partitë pro-evropiane me shpresën se votat e tyre mund të...Zgjedhjet parlamentare serbe zhvillohen këtë javë dhe shqiptarët që jetojnë në Serbi mbështesin gjerësisht partitë pro-evropiane me shpresën se votat e tyre mund të kontribuojnë në krijimin e një koalicioni qeveritar pro-perëndimor për qeverisjen e vendit.

Anëtari i Partisë shqiptare për Veprim Demokratik Shaip Kamberi, i cili kandidon si kryetar bashkie në qytetin e Bujanocit, thotë se një fitore e partive pro-ruse do ta bënte jetën për shqiptarët shumë më të vështirë. “Do të kishte pasoja negative. Një qeveri e tillë do të rriste forcat e sigurisë në rajon dhe ne do të ndjeheshim sikur jetojmë në gjendje emergjence.”

Kandidati i Partisë Për Progres Demokratik Jonuz Musliu, një parti tjetër shqiptare, thotë se shqiptarët do të votonin për partitë pro-perëndimore që mbështesin pavarësinë e Kosovës. “Mendoj se është mirë që votat e shqiptarëve do t’u shkojnë partive pro-perëndimore, dhe pastaj këto parti do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.”

Lugina e Preshevës ishte vendi i një kryengirtjeje shqiptare në vitet 2000-2001 i cili përfundoi me një marrëveshje të negociuar nga perëndimi që i jepte më shumë të drejta komuniteteve lokale.

Sipas anketave të publikuara para zgjedhjeve të së dielës radikalët ultranacionalistë gëzojnë 34 përqind mbështetje në popull, kundrejt 33 përqind të koalicionit pro-perëndimor të udhëhequr nga presidenti Tadiç. Blloku i kryeministrit në largim Vojisllav Koshtunica radhitet i treti me 12 përqind, çka mund t’i japë atij një pozitë të fortë në formimin e qeverisë së re.

Zoti Koshtunica e ka bazuar fushatën e tij në zemërimin e serbëve ndaj mbështetjes perëndimore për Kosovën.

Nacionalistët po shfrytëzojnë gjithashtu pakënaqësitë popullore ndaj papunësisë që është 30 përqind papunësi, rritjes së çmimeve dhe korrupsionit.

Si zoti Koshtunica, ashtu edhe Tomislav Nikoliç, kreu i radikalëve të djathtë, kanë thënë se Serbia duhet të lërë synimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe duhet të vendosë lidhje të forta ekonomike me Rusinë, e cila ka mbështetur pretendimet serbe mbi Kosovën.

Në përpjekje për të ndihmuar pro-perëndimorët e zotit Tadiç, BE-ja nënshkroi një marrëveshje paraprake me Serbinë për anëtarësim. Nacionalistët e kanë quajtur zotin Tadiç tradhëtar pas kësaj. Analistët thonë se Serbia do të zhytet edhe më tej në izolim nëse zoti Koshtunica formon qeverinë me radikalët. (VOA)
Shtuar më 10/05/2008, ora 15:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori